Aplikacion
Në takimin e zhvilluar këtë të mërkurë, më 3 dhjetor, në qytetin e Durrësit, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka bërë thirrje për mobilizim dhe bashkim të demokratëve, duke theksuar nevojën për një PD më të fortë dhe më të bashkuar.
Gjatë fjalimit të tij, ndërsa fliste për rifuqizimin e PD-së, Alimehmeti shtoi se demokratët duhet t’u drejtohen qytetarëve me “shpirt e me zemër”, sepse vetëm kështu mund të kenë besimin e tyre.
“Të jemi të qartë! Duhet të flasim dhe me votuesin dhe votuesi flet drejt, dhe votuesi flet me shpirt, flet me zemër. Dhe po nuk iu drejtuam ne atyre me shpirt e me zemër, vështirë që ata të na besojnë ne. E kanë të vështirë edhe ata!”, tha ai.
Në këtë proces që po ndodh aktualisht në PD, sipas Alimehmetit të gjithë duhet të bashkojnë idetë e tyre.
“Nuk kemi vetëm korrupsion financiar nga qeveria Edi Rama, por edhe korrupsion të rëndë moral moral nga kjo qeveri. Dhe ky korrupsion moral nuk mund të transportohet tek ne. Ne me bindjen që kemi si forcë e djathtë që jemi, moralin e kemi të parin. Dhe me këtë moral duhet të bashkojmë idetë tona, t’i rrahim, t’i diskutojmë, sepse nuk ka mendime të gabuara, nuk ka bisedime të gabuara. Kjo është parti e lirë, ti rrahim këto mendime!” u shpreh Alimehmeti.
Sipas tij, duhet që qeveria e kryeministrit Edi Rama duhet të rrëzohet sa më parë dhe është i bindur se kjo gjë mund të arrihet.
“Si mund të jemi ne mirë para këtyre situatave?! Duhet ta themi të vërtetën, jo nuk jemi mirë! Ne kemi nevojë absolutisht ta hedhim këtë regjim një orë e më parë. Sa më shumë e lëmë aty këtë regjim, aq më shumë ky na kalb ne e heq të ardhmen e fëmijëve tanë. Se shumë prej nesh mund të thonë se na hoqi të ardhmen tonë, por duhet të mendojmë edhe për fëmijët tanë, për nipërit tanë. Çfarë e dallon të djathtën nga e majta? E djathta vendos Shqipërinë pasa Shqipërisë, e majta vendos partinë për të zvatur Shqipërinë. Kjo është e mira jonë dhe ne mendojmë se do të bëjmë më të mirën e mundshme.”, tha Alimehmeti.
Takimi në Durrës ishte pjesë e turit të nisurnga ish-deputeti Ervin Salianji, i cili ka shpallur synimin për të ringritur, fuqizuar dhe ripërtërirë Partinë Demokratike. Atij iu bashkuan një sërë figurash të larta brenda PD-së, mes tyre edhe Ilir Alimehmeti, duke dhënë mesazhin se fryma e bashkimit dhe e rinovimit është e domosdoshme për të ardhmen e partisë. Zoom.al/