Aplikacion
Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në emisionin “Now”, ka komentuar operacionin e fundit të SPAK, gjatë të cilit u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro, u identifikuan rreth 50 ton kokainë dhe u ekzekutuan 10 masa sigurie.
Sipas tij, një pjesë e madhe e të ardhurave që burojnë nga aktiviteti kriminal nuk hyjnë drejtpërdrejt në Shqipëri si para “cash”, por kanalizohen më pas në investime të ndryshme ekonomike, duke u fshehur pas mungesave në kontrollin e burimit të tyre.
Karamuço theksoi se një nga problemet kryesore mbetet verifikimi i origjinës së fondeve, sidomos kur ato përdoren në investime të mëdha si ndërtimi, ku shpesh është e vështirë të gjurmohet burimi real i kapitalit.
Ai nënvizoi se sistemi aktual ende ka boshllëqe në identifikimin në fazat e para të investimeve, duke sugjeruar se një qasje më e fortë parandaluese do të ishte kontrolli i menjëhershëm i burimit të parave përpara se projektet të marrin leje ndërtimi.
Sipas tij, mungesa e një kuadri më të rreptë ligjor, përfshirë diskutimet e vonuara mbi kriminalizimin e pasurimit të paligjshëm, ka krijuar hapësira për këto fenomene.
Duke folur për rastin konkret, ai u shpreh se shifrat reale të drogës së sekuestruar janë shumë më të mëdha në ndikim ekonomik sesa vlerësimet fillestare, ndërsa theksoi se personat kryesorë të përfshirë zakonisht veprojnë jashtë territorit shqiptar.
Ai shtoi se sekuestrimet aktuale bazohen në të dhëna të regjistrave dhe dyshime fillestare, duke e konsideruar këtë vetëm fazën e parë të hetimit, ku më pas duhet provuar burimi i vërtetë i pasurive të vendosura nën sekuestro.
Karamuço e cilësoi këtë moment si një nga sfidat më të rëndësishme për SPAK-un, i cili sipas tij duhet të arrijë të dallojë më qartë pasuritë me origjinë kriminale nga ato të krijuara në mënyrë të ligjshme ndër vite.
“Pra e gjithë kjo para nuk është se mbërrin këtu. Këtu mbërrin për shkak se ne kemi ende probleme me identifikimin që në fillim të parave, mënyrës se si pastaj investohen, leja e ndërtimit, burimi i të ardhurave, këtë e kemi ende dhe prandaj dhe kodi penal është kërkuar me insistim pasurimi i paligjshëm që të jetë vepër penale.
Pra mos presim ne të na thotë Holanda, shikoni se keni një grup aty që ka pastruar që në 2020-ën lekët, paratë e tyre.
Por ne që në momentin që shikojmë vetë që ky po ndërton, menjëherë shkojmë dhe i themi ku i ke paratë, më jep faturat, ku e ke burimin e të ardhurave. Pra që aty ti e parandalon dhe e bën një klimë jo inkurajuese për këta për të ardhur dhe për të investuar më.
Është vonuar pak ky Kod Penal që mund të zgjidhte një pjesë të këtyre problemeve. Por tani ne jemi në një fakt të kryer që ka ndodhur vërtet. Ata dy emrat që janë drejtuesit, ata gjithmonë kanë qenë jashtë, asnjëherë s’kanë qenë në Shqipëri.
50 ton nuk janë 150 milionë euro, janë shumë më tepër, po janë jashtëzakonisht shumë më tepër. Pra këto janë kapur çfarë dalin nga regjistrat hipotekorë të kadastrës, pra që mund të ketë një emër, një familjar, një gjë e tjerë e tjerë.
Dhe është faza e parë. Pra ti i bën sekuestron dhe pastaj i shikon, ti ke dyshimet aktualisht për këtë, pra ende s’ke një provë të rëndësishme. Ore me çfarë parash e ke bërë këtë? Se na ka ndodhur raste të tjera që i kemi bllokuar fillimisht dhe ai ka thënë unë jam biznesmen që nga ’90-ta për këtë histori. Atëherë çfarë?
Pra ky është momenti më i rëndësishëm i SPAK-ut me gjithë këtë punë galopante dhe shumë të mirë që po bën, që arriti të dallojë kush është nga burimet kriminale që është investuar dhe kush është nga burime të ligjshme, burime të tjera.
Prandaj përzgjidhen biznesmenët, se është shumë e vështirë ta ndash kur fillon burimi i paligjshëm dhe ku është burimi që ti ke ndër vite, që ashtu je shfaqur vërtet në regjistrat publikë që je i tillë dhe ke investuar me kalimin e kohës, zëra tregtarë e tjerë e tjerë. Pra kjo është gjëja, sfida që ne kemi si institucion”, u shpreh ai.