Aplikacion
Partia Demokratike ka njoftuar zyrtarisht Policinë e Tiranës për zhvillimin e protestës ditën e sotme, e cila pritet të nisë në orën 17:00 përpara godinës së Kryeministrisë.
Për shkak të tubimit, Policia e Tiranës ka hartuar një plan masash për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Si pjesë e këtyre masave, ka kufizime të përkohshme në qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në disa akse kryesore të kryeqytetit. Konkretisht, nga ora 23:45 e mbrëmjes së kaluar është ndaluar parkimi dhe lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, masë që do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e tubimit.
Gjithashtu, nga ora 15:00 e në vijim, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se, në varësi të ecurisë së tubimit, kufizimet mund të shtrihen edhe në rrugë të tjera. Për të minimizuar vështirësitë për qytetarët, janë parashikuar devijime të trafikut drejt akseve alternative.
Zoom.al/