Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur sot për protestën kombëtare të thirrur nga opozita, e cila pritet të mbahet ditën e nesërme, duke e cilësuar atë si një reagim të fortë qytetar ndaj qeverisë.
Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se protesta do të jetë një mesazh i qartë kundërshtimi, ndërsa theksoi se qytetarët do të japin atë që ai e quajti “leksionin e merituar” për qeverinë aktuale.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, kreu i opozitës përdori tone të ashpra, duke ironizuar masat e sigurisë përreth Kryeministrisë. Ai tha se Rama mund të qëndrojë në zyrë gjatë protestës, nëse ka guximin ta përballojë reagimin qytetar.
“Në protestën e nesërme do t’i japim çmimin që meriton qeveria. Kështu e vlerësoj unë, qytetarët do t’i japin leksion qeverisë. Leksion të fortë. Lë të rrijë në zyrë ta provojë, kaq i them, rri aty, muret i ke blinduar, rri shko futu dhe rri nëse je burrë”, u shpreh Berisha./ Zoom.al