zoom

Slider

Skandali me biletat, ja si FSHF mashtroi tifozët me shitjen online

Skandali me biletat, ja si FSHF mashtroi tifozët me shitjen online

Tifozët e kombëtares, ata që nuk e kanë braktisur kurrë, as në shi e as në breshër, as kur rezultatet kanë qenë skandaloze, fatkeqësisht kanë mbetur pa një biletë.

FSHF lajmëroi me “gjysmë zëri” nëpërmjet një postimi në Facebook të premten mbrëma, se biletat dolën në shitje dhe mund të bliheshin online.

Federata abuzoi në mënyrë të frikshme me tifozët. Fillimisht nuk publikoi çmimet e biletave, siç bën zakonisht për ndeshje kur nuk ka interes dhe gjen çdo formë për të ftuar tifozët.

Por këtë radhë transparenca ishte 0, edhe në sistemin online “ebileta.al”.


Radha shkonte deri në 7 mijë persona që prisnin, por në sistem nuk shfaqej asnjë informacion se sa bileta ishin shitur dhe sa kishin mbetur.

Shumë tifozë, të cilët qëndruan mbi 5 orë në kompjuter në fund nuk arritën të merrnin qoftë dhe një biletë sepse sistemi bllokohej në momentin final dhe humbën “shansin e artë” për të siguruar një vend në stadium.

Federata justifikohet me faktin se interesi ishte shumë i madh, por si mund të shiten 20 mijë bileta për 3 orë kur një aplikues ka qëndruar në sistem për 5 orë në pritje dhe kur sistemi bllokohej duhet ta bëntë nga e para procedurën?

Personalitete nga fusha të ndryshme kanë reaguar në rrjetet sociale me neveri për abuzimin e Federatës me biletat, duke shkruar se i gjithë sistemi ishte i gënjeshtërt.


Nëse e marrim të mirëqenë faktin që biletat janë shitur online, si ka mundësi që kur ka pasur kaq vështirësi për të blerë një biletë, tani kanë dal në tregun e zi për shifra të frikshme, 200/300 apo 400€?!


Madje ka nga ata që katër bileta i ndërrojnë me një makinë Smart.

Asnjë blerës tradicional i biletave online të kombëtares nuk e ka siguruar dot një biletë për ndeshjen me Çekinë që do të zhvillohet në 12 tetor në “Air Albania”.

Pyetja e madhe që ngrihet nga tifozët është si avulluan kaq shpejt biletat?!

Zoom.al ka kontaktuar me një IT, i cili sqaroi se në sistem FSHF-ja ka nxjerrë në shitje një shifër të caktuar biletash (p.sh. 5000 dhe pjesën tjetër nuk i ka nxjerrë online).

Kjo është edhe arsyeja përse në sistemin online nuk shfaqej numri i biletave të shitura. /zoom.al/