Aplikacion
Ministria e Financave ka shkurtuar fondet e programuara në fillim të vitit për financimin e inceneratorin e Tiranës. Lajmi u njoftua në dokumentin e rishikimit të mes vitit të buxhetit 2023.
Nga 1.27 miliardë lekë i ishte fondi përcaktuar në buxhetin fillestar, në rishikimin e qershorit do të jetë vetëm 464 milionë lekë me një ulje 63% nga programi. Sakaq deri në fund të muajit maj inceneratori mori 326 milionë lekë ose rreth 70% të financimit vjetor raportoi Ministria e Financave.
Një vendim i tillë nuk është komunikuar dhe as arsyetuar, siç ndodh zakonisht me shtesat apo reduktimin e fondeve për zëra të caktuara në buxhet. Madje, vetë ministrja përgjegjëse për financat, Delina Ibrahimaj, pati deklaruar më herët se nuk ka pse ajo të mbyllë thesin për inceneratorët sepse nuk ka një ligj që të ndalojë apo shkurtojë këto pagesa.
Kjo ka qenë një ndër kërkesa kryesore të opozitës dhe ekspertëve, të cilët e tregojnë inceneratorin si një dëm të parikuperueshëm në financat publike. Gjithsesi, pagesat do të vazhdojnë, por në masë të reduktuar. Që ato të bllokohen përfundimisht, duhet të bllokohen kontratat nga ministria e Energjisë, që i administron ato.
Siç shihet nga të dhënat e Ministrisë së Financave impianti i djegies së mbetjeve në Tiranë nisi të financohej në vitin 2019 ku mori 977 milionë lekë, në vitin 2020 rreth 1,3 miliardë lekë në vitin 2021 rreth 1,2 miliardë lekë, në vitin 2022 mori 1,27 miliardë lekë dhe këtë vit financimi do të jetë 464 milionë lekë. Financimi progresiv i inceneratorit të Tiranës arriti në 5.2 miliardë lekë në fund të vitit majit 2023, raporton Ministria e Financave.
Që nga fillimi i projekteve, pagesat progresive për të tre inceneratorët, Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, kapin vlerën totale 11 miliardë lekë (103 mln euro) deri në qershor 2023.
Në vitin 2015 qeveria e Shqipërisë prezantoi projektet e i inceneratorëve, një në Elbasan, një në Fier dhe një Tiranë si me novatorët në menaxhimin e mbetjeve. Që nga viti 2016 e deri më tani objektet ishin nga më të financuarat me fondet e brendshme buxhetore, por ndërkohë një hetim nga SPAK ka zbuluar një mega aferë korrupsioni me objektet.