zoom

Lajme

Si lindi tradita e pemës së Krishtlindjes

Si lindi tradita e pemës së Krishtlindjes

Çdo dimër, familje në mbarë botën vendosin një pemë festive për të shënuar zyrtarisht fillimin e sezonit të Krishtlindjeve.

Por rrënjët e kësaj tradite janë shumë më të hershme dhe lidhen me kultura dhe zakone mijëvjeçare. Përdorimi i bimëve që mbeten gjithmonë të gjelbra nuk daton nga krishterimi, por nga civilizime të lashta si Egjipti dhe Roma, ku këto bimë simbolizonin jetën e përjetshme dhe mbrojtjen nga e keqja.

Para se të lindte krishtërimi, njerëzit i përdornin degët e gjelbra për të dekoruar shtëpitë gjatë dimrit. Ato konsideroheshin një mënyrë për të larguar shpirtrat e këqij, shtrigat dhe sëmundjet. Në Hemisferën Veriore, ditët më të shkurtra dhe netët më të gjata të vitit, që përkojnë me solsticin e dimrit më 21 ose 22 dhjetor, lidhnin natyrën me diellin, të cilin shumë popuj e konsideronin si një zot. Ata besonin se gjatë këtyre ditëve natyra mbetej e ngrirë, ndaj mbushnin shtëpitë me gjelbërim për të shpejtuar rikthimin e pranverës.

Egjiptianët nga ana tjetër, adhuronin perëndinë Ra, që mbante diellin në kurorën e tij. Gjatë solsticit, ata vendosnin palma dhe kallamishte nëpër shtëpi, simbol i triumfit të jetës mbi vdekjen dhe shpresës për rikthimin e dritës.

Tradita e pemës së Krishtlindjes në formën që njohim sot, duket se ka lindur në Gjermani në shekullin XVI. Kristianët nisën ta sillnin pemën e zbukuruar brenda shtëpive, dhe Martin Luther, figura qendrore e Reformës Protestante, thuhet se ka vendosur qirinj të ndezur për herë të parë në degët e pemës dhe më pas, për shkak të bukurisë, kërkoi ta rikrijonte këtë pamje edhe për familjen e tij.

Në këtë mënyrë, me kalimin e shekujve, pema e Krishtlindjes u kthye në një simbol të fundvitit.

Postime të lidhura