zoom

Aktualitet

Shqipëria vijon të digjet/ Situatë problematike në Tiranë, Vlorë e Berat

Shqipëria vijon të digjet/ Situatë problematike në Tiranë, Vlorë e Berat

Gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë regjistruar 50 vatra zjarri, prej të cilave 19 vijojnë ende aktive. Situata më e rëndë paraqitet në Vlorë, Berat dhe Tiranë, ku po përdoren forca tokësore dhe mjete ajrore nga Shqipëria dhe vende aleate.

Vlorë – Pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër, zjarri mbetet problematik pavarësisht angazhimit të 8 mjeteve zjarrfikëse, 90 forcave dhe mbështetjes nga avionë e helikopterë grekë, çekë, sllovakë dhe shqiptarë.

Berat – Në Poliçan, zjarri po afrohet pranë banesave dhe Azilit të të Moshuarve; banorët e fshatit Plirëz dhe Rehovë janë evakuuar. Në terren po punojnë 75 forca, 5 mjete zjarrfikëse dhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Tiranë – Vatra të mëdha janë në Ibë, Vaqarr, Ferraj, Zall-Herr dhe kodrat e Selitës. Për shuarjen po përdoren mjete zjarrfikëse dhe helikopterë Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kanadair kroat.

Gjirokastër – Në Tepelenë, zjarri ka djegur dy stalla me dëme të vogla në bagëti. Ndërhyrja po bëhet me rreth 100 forca dhe helikopterë të huaj.

Vatra të tjera aktive janë në Dibër, Durrës, Elbasan, Shkodër, Kukës dhe Korçë, kryesisht në zona malore dhe pyjore me terren të vështirë.

Sot do të vijojë ndërhyrja nga ajri me 6 helikopterë Black Hawk dhe mjete të tjera zjarrfikëse për të vendosur situatën nën kontroll.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot nuk priten reshje shiu dhe temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 41 °C në zonat e ulëta. Në disa qarqe, rreziku nga zjarret në pyje është i “lartë” ose “shumë i lartë”, duke kërkuar vëmendje të shtuar nga qytetarët./ Zoom.al

Postime të lidhura