Aplikacion
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, ka komentuar barazimin 1-1 të Shqipërisë ndaj Letonisë në transfertë, duke analizuar ecurinë e ekipit dhe punën e trajnerit Sylvinho.
Në një intervistë për A2 CNN, Vata nuk kurseu kritikat për brazilianin, duke e cilësuar si një trajner ende pa përvojën e duhur për të përballuar ndeshjet e mëdha.
“Në letër, Shqipëria është ekip shumë më i fortë, por Letonia ka një trajner të shkollës italiane dhe taktikisht është shumë e organizuar. Sot shumë gjëra nuk shkuan siç duhet dhe energjia e ekipit mungonte. Nëse pretendon të shkosh në Botëror, duhet t’i fitosh ndeshje me ekipe si Letonia. Mendoj se jemi ende kombëtare e vogël, nuk jemi gati për të shkuar në Botëror”, u shpreh Vata.
Më tej, ai u ndal edhe te puna e Sylvinhos:
“Mendoj se si futbollist ai ka arritur nivelet më të larta të profesionalizmit, por të jesh trajner është diçka krejt tjetër. Sylvinho ka gabuar sigurisht, është trajner i ri që po mëson zanatin. Eksperiencën po e merr me Shqipërinë. Po gabon në momente të rëndësishme, por ai është trajneri i Shqipërisë në fund të fundit. Duhet të marrë përgjegjësitë.”
Sipas Vatës, përgjegjësia për këtë ecuri nuk i përket vetëm trajnerit, por edhe strukturave të tjera të futbollit shqiptar.
“Nëse në Europian na dërgoi Sylvinho, përgjegjësi ka që nuk po na dërgon në Botëror. Por, unë mendoj se problemi i futbollit shqiptar nuk është trajneri, por mentaliteti. Futbollistët i kemi, por duhet të dish t’i menaxhosh futbollistët. Ne nuk kemi staf mjaftueshëm. Nuk mjafton vetëm trajneri i Kombëtares dhe stafi i tij. Kemi mangësi profesionistësh”, përfundoi Vata./ Zoom.al