Aplikacion
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në Shkodër, ku Hysni Ymeri humbi jetën si pasojë e një shpërthimi me lëndë eksplozive.
Ngjarja ndodhi më 29 dhjetor 2025, në lagjen “Manush Alimani”.
Pas hetimeve intensive, policia ka arrestuar katër persona: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi. Sipas njoftimit zyrtar, këta shtetas, kundrejt pagesës dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vendosur lëndë eksplozive të dyshuar me telekomandim në distancë në panelin elektrik të pallatit.
Gjatë veprimeve procedurale dhe kontrolleve të ushtruara në ambiente të ndryshme, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 28 telefona celularë, një automjet tip “Mercedes-Benz”, veshjet e autorit të dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, shuma parash në lekë dhe euro, lëndë narkotike, përfshirë kokainë, tre pajisje gjurmuese GPS, dy kamera sigurie dhe një laptop.
Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve.
Hysni Ymeri ishte vëllai i një personi të dënuar për një vrasje në vitin 1995, ku humbi jetën Shefqet Çekorja./ Zoom.al