Aplikacion
Një ngjarje e rënsë është regjistruar në qendër të Athinës, ku dy grupe të rinjsh shqiptarë janë përfshirë në përleshje të ashpër, duke lënë pas disa të plagosur dhe një numër të konsiderueshëm të arrestuarish.
Sipas mediave greke, në konflikt janë përfshirë gjithsej 26 persona, të ndarë në dy grupe rivale. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kato Patisias, ku palët janë përballur dy herë brenda një harku të shkurtër kohor.
Tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë pasi janë goditur me thikë në zonën e kraharorit. Plagët konsiderohen tepër serioze, pasi janë shumë pranë zemrës, duke i vënë të rinjtë në rrezik për jetën. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa policia ka ndërhyrë për të shpërndarë grupet.
Autoritetet greke kanë arrestuar tetë persona të dyshuar si pjesëmarrës aktivë në përleshje. Hetimet paraprake tregojnë se sherri ka nisur fillimisht dy ditë më parë, pas një konflikti jashtë një lokali nate të quajtur “Beat”, ku një i ri shqiptar, i identifikuar si Enki Xhalli, dyshohet se është dhunuar nga Xhesildo Gruda, i njohur me nofkën “Cico”, dhe një shtetas grek.
Dy ditë pas episodit të parë, grupet e udhëhequra nga të rinjtë e përfshirë janë takuar sërish për të “zgjidhur” konfliktin, çka ka përfunduar në dhunë të rëndë me përdorim thikash.
Zyrtarisht, disa prej të arrestuarve kanë deklaruar se shkaku i konfliktit lidhej me një vajzë. Megjithatë, hetuesit dyshojnë se pas përplasjes fshihet një motiv më i thellë, që lidhet me kontrollin e aktivitetit të trafikut të drogës në zonë.
Gjatë kontrolleve në banesat e personave të përfshirë, policia ka sekuestruar 97 gramë kanabis, 51 gramë metamfetaminë, një pistoletë manovër, gjashtë thika dhe sende të tjera të kundërligjshme, duke forcuar dyshimet për veprimtari kriminale./ Zoom.al
Pas 3 orësh protestë te Kryeministria, qytetarët nisin marshimin në rrugët e kryeqytetit