Aplikacion
Një rrëshqitje e konsiderueshme dhe shembje e një pjese të trotuarit është konstatuar në aksin Pogradec–Qafë Plloçë, në segmentin që kalon pranë fshatit Gështenjas.
Bashkë me dëmtimin e strukturës së trotuarit, raportohet se kanë pësuar dëmtime edhe rrjetet nëntokësore, ndërsa ende nuk është e qartë nëse rrëshqitja mund të prekë edhe karrexhatën.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar, pasi ky segment prej muajsh është pa ndriçim publik, megjithëse ndodhet brenda një zone të banuar. Mungesa e dritave, e kombinuar me dëmtimin e trotuarit, paraqet rrezik serioz për këmbësorët, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, aq më tepër që ku segment konsiderohet si pikë e zezë për shkak të aksidenteve të shumta që ndodhin.
Aksi rrugor Pogradec–Qafë Plloçë u rikonstruktua në vitin 2018, duke përfshirë zgjerimin e korsive, krijimin e trotuareve dhe vendosjen e sistemit të ndriçimit.
Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar për shkakun e shembjes dhe hapat që pritet të ndërmerren për sigurinë rrugore dhe rikonstruksionin e segmentit të prekur./ Zoom.al