zoom

Aktualitet

Sekuestrohet apartamenti në Shkodër, dyshohet i blerë me para nga trafiku i drogës

Sekuestrohet apartamenti në Shkodër, dyshohet i blerë me para nga trafiku i drogës

Prokuroria e Shkodrës vendosi këtë të hënë masën e sekuestros preventive mbi një apartament me sipërfaqe 103.4 m², i ndodhur në lagjen “Vasil Shanto” të qytetit, si pjesë e hetimeve për pastrim parash.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi L. M. dhe shtetasja J. N. kanë bashkëpunuar në blerjen e kësaj pasurie me fonde të ardhura nga veprimtari kriminale.


Prokuroria bën me dije se apartamenti është blerë nga J. N., e cila nuk rezulton të ketë burime të ligjshme të të ardhurave që të justifikojnë investimin, ndërsa fondet dyshohet se janë transferuar nga L. M.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se L. M. është dënuar nga Gjykata e Distriktit Jugor të Nju Jorkut për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe ka qenë në kërkim nga Interpol Roma, pasi është dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Apelit e Salernos (Itali) për veprat penale të “Organizatë kriminale, drogë, pengmarrje, heqje e paligjshme e lirisë dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Vendimi i sekuestrimit është marrë me qëllim parandalimin e tjetërsimit të pasurisë dhe ruajtjen e saj për konfiskim të mundshëm në përfundim të procesit penal./ Zoom.al

Postime të lidhura