zoom

Aktualitet

Sekuestrohet Laborghini i rrallë nga Dubai. Pronarit 37 -vjeçar iu bllokuan edhe 2 milionë euro pasuri një vit më parë

Sekuestrohet Laborghini i rrallë nga Dubai. Pronarit 37 -vjeçar iu bllokuan edhe 2 milionë euro pasuri një vit më parë

Një tjetër pasuri luksoze e dyshuar si e përfituar nga veprimtari kriminale është sekuestruar nga Prokuroria e Fierit, në kuadër të hetimeve të thelluara për pastrim parash dhe pasurim të paligjshëm. Objekt i sekuestrimit këtë herë është një automjet superluksoz tip “Lamborghini Urus Mansory”, një version i modifikuar dhe shumë i rrallë i SUV-it italian, i sjellë në Shqipëri nga Dubai përmes personave të tretë me qëllim fshehjen e pronësisë së vërtetë.

Ky veprim pason sekuestrimin e bujshëm të një viti më parë, kur shtetasit Arbër Muça, 37 vjeç, iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 2 milion euro, përfshirë automjete të tjera luksoze, bizhuteri dhe para cash.

Prokuroria e Fierit ka sqaruar se kjo masë është marrë në kuadër të procedimit penal nr. 1162, datë 15.10.2020, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, sipas nenit 287 të Kodit Penal. Paralelementisht, është hapur edhe një procedim pasuror më vete (nr. 3/2024), bazuar në ligjin antimafia nr.10192, datë 03.12.2009, i cili lejon sekuestrimin e pasurive të personave të përfshirë në krim të organizuar, trafik dhe korrupsion, pa qenë domosdoshmërisht të dënuar penalisht.

“Lamborghini Urus Mansory” është një version ekskluziv i prodhuar në pak njësi në botë dhe kushton mbi 300 mijë euro në tregun ndërkombëtar, pa llogaritur shpenzimet për sjelljen, doganimin dhe modifikimet. Fakti që kjo makinë është regjistruar nën emrin e një personi të tretë, ka ngritur dyshime për fshehje të pasurisë, teknikë klasike e përdorur në rastet e pastrimit të parave.

Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se mjeti është identifikuar falë bashkëpunimit me autoritete doganore dhe rrjetin ndërkombëtar të hetimit të pasurive dhe sekuestrimi është realizuar më 10 korrik 2025, me vendim gjykate.

Në njoftimin zyrtar, thuhet se hetimi për A.M. do të vijojë me objektivin e konfiskimit të pasurive, nëse vërtetohet që janë përfituar nga veprimtari të paligjshme apo janë në emër të personave të lidhur.

Sipas të dhënave të siguruara nga Zoom.al, emri i Arbër Muçës ka qenë pjesë e dosjeve të shërbimeve të inteligjencës financiare dhe të Task-Forcës Kombëtare për Krimin e Organizuar, për lidhje me aktivitet të paligjshëm në fushën e trafikut ndërkombëtar dhe investimeve të dyshimta në sektorin e ndërtimit dhe lojërave të fatit.

Arbër Muça nuk rezulton i dënuar, por është subjekt hetimi. Ligji antimafia në Shqipëri e lejon sekuestrimin e pasurive edhe në mungesë të një vendimi penal përfundimtar,  por rruga për të kaluar nga sekuestrimi te konfiskimi është e gjatë dhe shpesh mbetet peng i pengesave procedurale ose presioneve politike. /Zoom.al

Postime të lidhura