Aplikacion
Debatet brenda opozitës janë ashpërsuar më tej. Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një interviste televizive.
Salianji pretendoi se Berisha ka probleme serioze me drejtësinë dhe e akuzoi atë për lidhje me grupe kriminale, duke iu referuar edhe vendimeve të huaja që sipas tij e përmendin këtë fakt. Ai theksoi se këto çështje nuk e kanë penguar Berishën të vazhdojë aktivitetin politik.
Në të njëjtën linjë, Salianji hodhi akuza edhe për raportin mes Edi Ramës dhe Berishës, duke pretenduar se mes tyre ekziston një bashkëpunim i tërthortë. Sipas tij, kryeministri i siguron përfitime ekonomike dhe mbështetje politike liderit të opozitës, ndërsa ky i fundit, nga ana tjetër, nuk përbën një kundërshtar real.
Ai e përshkroi situatën politike si një bashkëjetesë interesash mes dy figurave kryesore, duke shtuar se Berisha ndodhet nën presion për shkak të çështjeve të hapura që mund të rëndojnë ndaj tij.
“Ka probleme më të mëdha Sali Berisha me drejtësinë. Me këtë drejtësi, se për gjykatat ndërkombëtare, e kam nxjerrë sot vendimin e gjykatës britanike, që qartësisht në vendim e shpreh që Sali Berisha është i lidhur me grupe të krimit të organizuar dhe që i përdor këto grupe për influencën e vet politike, pra edhe këtë le ta vendosnin, por nuk e pengon as ligji, as statuti i partisë që të kandidosh në parti politike me këtë dënim
Realisht ne jemi në regjimin Rama-Berisha. Berisha mban në pushtet Edi Ramën, Rama i jep atë për të cilin Sali Berisha shet edhe shpirtin: paratë, lejet, koncesionet edhe mbrojtje të caktuara. Se thoshte sot, për shembull, që Lul Bravën e mbante Edi Rama peng me disa dosje. Po ky ka 100 dosje, po të jetë për atë punë, i ka dosjet kapicë. Sot Sali Berisha është i kapur nga Edi Rama”, tha Salianji./ Zoom.al