Aplikacion
Ervin Salianji ka ashpërsuar qëndrimin ndaj drejtimit të Sali Berishës në Partinë Demokratike, vetëm një ditë pas protestës së opozitës që, sipas tij, nuk arriti të mobilizonte qytetarët.
Ish-deputeti demokrat njoftoi zhvillimin e një tjetër “foltoreje” me mbështetësit në Peshkopi, duke bërë thirrje për çlirimin e partisë nga ajo që ai e quan “uzurpim” i lidershipit aktual.
Në reagimin e tij, Salianji tha se demokratët janë lodhur nga përjashtimet, mbyllja dhe mungesa e garës brenda partisë. Ai u shpreh se me një drejtim të ri dhe më frymëzues, opozita do të kishte pasur mbështetje shumë më të madhe në protestën e fundit.
Sipas tij, problemi nuk qëndron te anëtarësia e Partisë Demokratike, por te mënyra se si është menaxhuar dhe përdorur partia për interesa personale.
Postimi i plotë:
Nesër në 18:00 shihemi në Peshkopi, ish Kinemaja! Të çlirojmë Partinë Demokratike nga uzurpimi, të shpëtojmë Shqipërinë nga regjimi!
Nuk kam folur këto 2 ditë për të respektuar protestën e demokratëve!
Kam dhimbje të shoh efektet e përjashtimeve, mbylljes dhe uzurpimit të Partisë Demokratike. Sakrificat e demokratëve nuk e meritojnë këtë degradim.
Me një lidership të ri, të besueshëm dhe frymëzues, pas skandaleve të njëpasnjëshme të Edi Ramës, sheshi dje do të ishte i tejmbushur me qytetarë.
Nuk ka shërbim më të madh për Ramën sesa të vrasësh nervin opozitar, të mbysësh shpresën dhe ta përdorësh partinë për interesa personale.
Demokratët nuk janë problem; problem është kush i ka lodhur, përjashtuar dhe zhgënjyer.
Me garë demokratët do largonin kambalecin mbështetës të Ramës, me garë do fitoja!
Si gjithmonë me demokratët ✌🏻/ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit