zoom

Lajme

Roma e priste për rinovim, mesfushori e “tradhton” në moment të fundit. Firmos me Juventusin

Roma e priste për rinovim, mesfushori e “tradhton” në moment të fundit. Firmos me Juventusin

Një nga transferimet më të bujshme të kësaj merkatoje në Serie A ka marrë një kthesë të papritur. Kur gjithçka dukej e mbyllur për vazhdimin e bashkëpunimit mes Zeki Celik dhe Romës, mbrojtësi turk zgjodhi të ndryshojë drejtim në momentet e fundit, duke firmosur si lojtar i lirë me Juventusin.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, drejtuesit e Romës ishin të bindur se rinovimi ishte çështje kohe. Klubi kishte arritur një marrëveshje verbale me futbollistin, madje kishte organizuar edhe udhëtimin e tij drejt kryeqytetit italian për të hedhur firmën në kontratën e re.

Megjithatë, ndërsa në Trigoria pritej mbërritja e mbrojtësit, ai ndodhej në Torino, ku kreu në fshehtësi vizitat mjekësore përpara se të nënshkruante një kontratë trevjeçare me Juventusin. Marrëveshja i garanton 29-vjeçarit rreth 4 milionë euro në sezon, përfshirë bonuset, ndërsa bardhezinjtë kanë paguar edhe komisione për përfaqësuesit e lojtarit.

Largimi i Celik ka shkaktuar pakënaqësi te Roma, veçanërisht te trajneri Gian Piero Gasperini, i cili e konsideronte mbrojtësin turk një element të rëndësishëm falë aftësisë për të luajtur në disa pozicione të repartit defensiv.

Në prapaskenë, një rol kyç në operacion ka luajtur Frederic Massara. Ish-drejtori sportiv i Romës, tashmë pjesë e Juventusit, shfrytëzoi përfundimin e kontratës së Celik dhe e bindi atë të transferohej në Torino, duke i shkaktuar një goditje të fortë ish-klubit të tij.

Edhe pse Roma kishte rishikuar ofertën financiare për ta mbajtur në skuadër, dokumentet e kontratës nuk u kthyen kurrë të firmosura. Futbollisti kishte marrë tashmë vendimin për të nisur një aventurë të re me fanellën bardhezi.

Pas zyrtarizimit të transferimit, Celik falënderoi tifozët e Romës, José Mourinhon dhe Gian Piero Gasperinin për mbështetjen gjatë qëndrimit në kryeqytet, duke theksuar se largohet me kujtime të mira dhe krenar për kontributin e tij. Megjithatë, një pjesë e tifozëve romanistë e kanë konsideruar kalimin te Juventusi si një tradhti, duke qenë se prisnin firmën e rinovimit./ Zoom.al

Postime të lidhura