Aplikacion
Massimiliano Allegri ka nisur zyrtarisht aventurën e tij në krye të Napolit. Gjatë prezantimit si trajner i ri i kampionëve të Italisë, tekniku italian u shpreh entuziast për sfidën që e pret, duke theksuar se ndihet me fat që, ashtu si te Juventusi vite më parë, merr drejtimin e një skuadre të ndërtuar nga Antonio Conte.
Allegri falënderoi presidentin Aurelio De Laurentiis për besimin dhe vlerësoi rrugëtimin që Napoli ka bërë në vitet e fundit, duke u shndërruar në një nga klubet më të qëndrueshme të futbollit italian dhe pjesëmarrëse e rregullt në kompeticionet europiane.
“Napoli është një klub që ka ndërtuar një identitet fitues. Conte ka bërë një punë të shkëlqyer dhe shpresoj që kjo trashëgimi të më sjellë të njëjtin sukses si herën e parë kur mora drejtimin e një skuadre të tij,” deklaroi trajneri.
Ai hodhi poshtë gjithashtu zërat që e lidhnin me pankinën e Kombëtares së Italisë pas largimit të Gennaro Gattusos. Allegri sqaroi se nuk ka zhvilluar asnjë bisedë me Federatën Italiane të Futbollit dhe se fokusi i tij ka qenë gjithmonë Napoli.
“Me Federatën nuk kam pasur asnjë kontakt. Jam i lumtur që ndodhem këtu dhe mezi pres të nis punën me këtë klub”, u shpreh ai.
Duke folur për objektivat e sezonit, Allegri theksoi se skuadra duhet të ndërtojë formën optimale gradualisht, në mënyrë që të jetë në kulmin e saj gjatë muajve vendimtarë të kampionatit dhe kupave.
Tekniku italian u ndal edhe te eksperienca e tij me Milanin, duke pranuar se i ka mbetur peng mënyra si përfundoi bashkëpunimi me klubin kuqezi, ndërsa falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët për periudhën e kaluar.
Sa i përket merkatos, Allegri preferoi të mos japë detaje konkrete, duke theksuar se vendimet do të merren në bashkëpunim me drejtuesit e klubit. Ai shtoi se Napoli ka një grup cilësor futbollistësh dhe se çdo përforcim do të bëhet vetëm nëse konsiderohet i nevojshëm për ta bërë ekipin edhe më konkurrues./ Zoom.al