zoom

Aktualitet

Rëndohet situata në Gramsh/ Banorët dhe zjarrfikësit ngecin mes flakëve

Rëndohet situata në Gramsh/ Banorët dhe zjarrfikësit ngecin mes flakëve

Situata në Gramsh po shkon drejt një krize serioze, teksa zjarret që kanë përfshirë disa fshatra po përhapen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe lëndime tek banorët.

Në fshatin Bulcar, një grua ka mbetur e bllokuar në një fermë së bashku me dy fëmijë dhe kërkon ndihmë.

Në Skënderbegas, një prej zonave më të rrezikuara, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e plotë për shkak të afërsisë së flakëve me banesat. Megjithatë, disa banorë po refuzojnë të largohen, duke thënë se aty është jeta e tyre dhe nuk duan ta braktisin atë.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri thirrje urgjente për të gjithë që të largohen sa më parë.

“Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt”, ishte thirrja e tij.

Forcat zjarrfikëse kanë vështirësi të hyjnë në disa zona për shkak të flakëve të mëdha dhe tymit të dendur, që e bëjnë të pamundur ndërhyrjen nga toka. Ndërkohë, autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga ajri, ndërsa Forcat e Armatosura dhe Mbrojtja Civile janë të angazhuara maksimalisht në terren.

Gjendja mbetet kritike edhe në fshatrat përreth. Banorët dhe autoritetet po përballen me një sfidë të madhe në luftën kundër flakëve.

Postime të lidhura