zoom

Lajme

“Rama u thirr në takim për…”/ Berisha zbardh pse udhëtoi kryeministri drejt Brukselit

“Rama u thirr në takim  për…”/ Berisha zbardh pse udhëtoi kryeministri drejt Brukselit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha deklaroi se Rama është thirrur në Bruksel për të komunikuar qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj veprimeve të tij, të cilat ai i cilëson “antikushtetuese dhe antidemokratike”. “Rama shkon si avokat i Ballukut, ndërkohë që mbulon aferat e tij personale. Në kryeqytete të ndryshme është kuptuar qartë çfarë përfaqëson dhe sa i lidhur është me korrupsionin e Ballukut.

Sipas medieve, sepse nuk dihet, por mediat shkruajnë se ka takim, është thirrur direkt nga numri një i Këshillit të BE për t’i komunikuar qëndrimin e prerë të BE ndaj qëndrimeve të tij antikushtetuese, antidemokratike, ndaj zotimit të tij për të vazhduar grushtin e shtetit”, tha Berisha.

Ai u shpreh gjithashtu se qytetarët duhet të reagojnë duke marrë pjesë në protestën kombëtare të opozitës që do të zhvillohet nesër në Tiranë. “Nesër është dita e qytetarëve. Ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të bashkohen në një kryengritje paqësore për të treguar Europës dhe botës se nuk dorëzohemi përballë një grushti hajdutësh”, theksoi Berisha.

Rama udhëtoi drejt Brukselit rreth orës 14:00, ku do të pritet në takim nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Kosta. Bisedimet do të fokusohen në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian./ Zoom.al

Postime të lidhura