zoom

Aktualitet

Rama paralajmëron mbylljen e RTSH: Nuk do financohet më nga taksat

Rama paralajmëron mbylljen e RTSH: Nuk do financohet më nga taksat

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar deklarata të forta ndaj Radio Televizionit Shqiptar, duke e cilësuar funksionimin e tij si një dështim të thellë dhe duke paralajmëruar pezullimin e plotë të aktivitetit të institucionit.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se përpjekjet për reformimin e RTSH-së kanë rezultuar të pasuksesshme, ndërsa theksoi se televizioni publik nuk po e përmbush misionin për të cilin financohet nga taksat e qytetarëve.

Sipas tij, një mbyllje e përkohshme, por pa afat të përcaktuar, është një nga alternativat që po shqyrtohet seriozisht, deri në realizimin e një reformimi të plotë. Kryeministri nënvizoi se nuk do të akordohet më asnjë fond publik për RTSH-në, për sa kohë institucioni nuk justifikon ekzistencën e tij.

Rama deklaroi se të gjitha opsionet janë të hapura, përfshirë mbylljen përfundimtare, privatizimin apo krijimin e një partneriteti publik-privat, duke përjashtuar vijimin e gjendjes aktuale. Ai e përshkroi bilancin e RTSH-së si një cikël të vazhdueshëm borxhesh dhe neglizhence, duke shtuar se Shqipëria, sipas tij, prej vitesh nuk ka një televizion publik funksional.

“E vërteta historike është se kemi tentuar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet, por kemi dështuar. Deri tani bilanci i tij është një “dështim i suksesshëm”, dmth nga borxhi në borxh, në mosperfillje. Nuk e kemi një televizion publik në Shqipëri; hera e fundit kur e kam parë ka qenë në vitin 1990, para përmbysjes së sistemit. Kam shkuar i ftuar, por nuk kam parë as veten, janë të vetmet intervista dhe nuk kam marrë asnjë mesazh. U kam thënë: mbylleni. S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë, edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është”, ka deklaruar Rama./ Zoom.al

Postime të lidhura