Aplikacion
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur të gjobisë Radio Televizionin Shqiptar me 100,000 lekë, pas një episodi të transmetuar në emisionin sportiv “Super Gol”, ku futbollisti i ekipit të Burrelit, Arnold Kwaku Siaw nga Gana, u trajtua në mënyrë diskriminuese dhe raciste.
Vendimi i AMA-s, i marrë më 17 nëntor, u justifikua nga sjellja e moderatores dhe e të ftuarve në studio, të cilët sipas autoriteteve shfaqën qëndrime denigruese ndaj futbollistit për shkak të ngjyrës së lëkurës.
Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, moderatorja Hygerta Sako pati vështirësi të shqiptonte emrin e Siaw-it, dhe pasi gazetari e lexoi emrin e tij, Sako dhe të ftuarit qeshën, duke krijuar një situatë talljeje publike.
AMA ka konstatuar se qeshja dhe batutat e pjesëmarrësve u përqendruan tek ngjyra e lëkurës së futbollistit, duke e bërë objekt të diskriminimit dhe talljes. Sipas Këshillit të Ankesave pranë AMA, moderatores i takonte të qetësonte situatën dhe të orientonte diskutimin në mënyrë profesionale, por ajo vetë u përfshi në sjelljet e padrejta.
Vendimi i AMA-së përfshiu jo vetëm gjobën, por edhe ndalimin e ritransmetimit të emisionit dhe heqjen e tij nga platformat online./ Zoom.al