zoom

Ekonomi

Raiffeisen Bank, loja “ngriva-shkriva” dhe pa-rëndësia në ekonomi

Raiffeisen Bank shpërndau në media pak ditë më parë një njoftim me pagesë ku përgënjeshtronte lajmet për tërheqjen nga tregu shqiptar. Në njoftim banka tregonte se nuk kishte qenë asnjëherë në planet e saj largimi nga Shqipëria dhe se gjithçka kishte qenë një spekulim i krijuar nga mediat pa asnjë të vërtetë brenda. Këtë qëndrim e tregonte me një farë lumturie dhe me premtimin që do bënte më shumë në vitet në vijim.

Në të vërtetë, kjo është hera e dytë që austriakët tentojnë të largohen nga Shqipëri dhe në të dyja rastet nuk ja kanë arritur. Kjo jo për shkak të dashurisë së Vjenës për Tiranën por sepse asnjë nuk e ka vlerësuar aq shumë Raiffeisen për shkak të rënies së vazhdueshme. E gjithë kjo situatë ka përfunduar në një lojë “ngriva-shkriva” ku në të vërtetë të humburit kryesorë janë reputacioni i bankës dhe çmimi në bursë i aksioneve të bankës.

Kjo pavendosmëri e Raiffeisen Bank për të qëndruar apo për t’u larguar nga Shqipëria ka krijuar edhe probleme me besueshmërinë përballë klientëve lokalë. Këtë e tregon edhe ecuria në krahasim me bankat e tjera ku është banka e vetme që vazhdimisht humbet klientë. Pasiguri më të lartë kanë ndier klientët e fondit të investimeve të kësaj banke, Raiffeisen Invest. Raportohet që gjatë kësaj periudhe ka pas largime dhe tërheqje fondesh nga klientët që e pakën përcjellë frymën e përgjithshme të pasigurisë me të ardhmen e bankës.

Nga banka lider në tregun shqiptar (ish Banka e Kursimeve), tashmë prej disa vitesh Raiffeisen Bank Shqipëri ka përfunduar e treta duke u lenë pas nga Banka Credins që ka kaluar në vendin e dytë në një garë që udhëhiqet nga BKT.

Një tjetër e vërtetë e madhe është që Raiffeisen Bank në Shqipëri është një kontribuuese modest në ekonomi. Midis të gjitha bankave kjo bankë është kredituesja më e vogël e bizneseve në vend. Në përqindjen e portofolit të bankës për kreditë e biznesit shikohet që shumica nuk janë në Shqipëri por jashtë. Raiffeisen është banka që ka rritjen më të madhe të kapitalit të investuar jashtë vendit gjatë vitit që shkoi. Nga vitin 2020 në vitin 2021 e ka rritur kredi-dhënien jashtë vendit me 87%. Mbi 400 milion euro janë transferuar jashtë Shqipërisë nga kjo bankë.

Fitimet e krijuara nga aktiviteti i bankës në territorin shqiptar transferohen sistematikisht në Vjenë. Asnjë nga ajo çfarë fiton banka nuk mbetet apo nuk investohet në vend. Kjo e bën akoma më të varfër lidhjen me vendin dhe kontributin për rritjen e ekonomisë lokale deri në nivelet e mospërfilljes.

Duke e vënë në peshore me bankat e tjera, Raiffeisen ka zgjedhur që të mos i japë besim as Qeverisë Shqiptare duke refuzuar të blejë bonot e thesarit të Bankës se Shqipërisë. Përsëri renditet e fundit ndërmjet katër bankave kryesore për blerjen e bonove të thesarit. E thënë ndryshe, kursimet e fituara me mund nga shqiptarët kalojnë në dobi të bizneseve dhe aktiviteteve ekonomike jashtë Shqipërisë duke luajtur një rol minimal në përmirësimin e ekonomisë vendase.

Një bankë që e tregon hapur që nuk do të ketë kontribut në ekonominë vendase por vetëm e përdor atë si “minierë valute” për të investuar në vendin e origjinës mbase do kishte qenë më mirë që të ishte larguar. Në këtë mënyre edhe austriakët do ishin të lumtur por edhe ekonomia shqiptare do të kishte mundësi të përdorte më shumë kapitale financiare për t’u rritur. /Alfred Lame