zoom

Ekonomi

Aksionet e Raiffeisen Bank bien me 42% në bursë

Banka austriake Raiffeisen Bank vijon të humbë besimin e bursave ndërkombëtare. Brenda një viti aksionet e bankës kanë rënë me 42%. Një rënie të tillë në bursë, aksionet e Raiffeisen Bank nuk e kishin pësuar prej dekadash.

Në nëntor të vitit 2021, vlera e aksioneve të Raiffeisen Bank luhatej midis vlerave 26-28 euro për aksion, ndërkohë që në nëntor të këtij viti (2022) vlera e aksioneve ka përfunduar në 15 euro për aksion. Kjo rënie ka shkaktuar jo pak shqetësime për stafin drejtues të bankës, pasi rikuperimi i vlerës së aksioneve duket i pamundur, të paktën në një kohë të afërt.

Sipas analistëve të sistemit bankar, kjo humbje ka ardhur si pasojë e luhatjeve që ka treguar banka në disa tregje, ku është e pranishme. Kjo pasiguri dhe mosbesim karshi Raiffeisen Bank është reflektuar edhe në largimin e klientëve.

Rënia e vlerës së aksioneve dhe largimi i klientëve duket sikur e kanë futur bankën në një rreth vicioz. Klientët dhe aksionarët presin rritjen e vlerës në bursë, ndërkohë vlera e aksioneve nuk mund të rritet po nuk pati kthim apo rritje të portofolit të klientëve.