zoom

Ekonomi

Pas Polonisë dhe Sllovenisë, Raiffeisen Bank ikën edhe nga Bullgaria

Pas Polonisë dhe Sllovenisë, Raiffeisen Bank ikën edhe nga një tjetër vend i BE.
Banka me qendër në Austri, që operon edhe në Shqipëri, largohet nga Bullgaria. Aksionet e saj janë blerë nga banka belge KBC Bank.

KBC njoftoi sot përmbylljen e marrëveshjes së bërë publike më 15 nëntor 2021, në lidhje me blerjen e 100% të aksioneve të Raiffeisenbank (Bullgari) EAD, e cila është përgjegjëse për veprimtarinë bankare të RBI-së në Bullgari.

Transaksioni përfshin gjithashtu filialet e Raiffeisen Bank të Bullgarisë, në pronësi të plotë të Raiffeisen Leasing Bulgaria, Raiffeisen Asset Management (Bullgari), Raiffeisen Insurance Broker dhe Raiffeisen Service.

Blerja pati një vlerë totale prej 1,009 milionë eurosh të paguara cash. Transaksioni do të ketë një ndikim kapital prej rreth -1 pp në CET1 të Grupit KBC, në tremujorin e tretë 2022.

Raiffeisen Bank në Bullgari numëronte një rrjet prej 122 degësh bankare, 2 500 punonjës dhe 635 000 klientë. Nga ana tjetër, KBC Bank rezulton banka e dytë më e madhe në Mbretërinë e Belgjikës.

Dalja nga tregu bullgar i Raiffeisen Bank dhe blerja e saj prej KBC Group vjen në një kohë kur 100% e aksioneve të kësaj banke janë shitur tanimë edhe në Poloni dhe Slloveni.

Johan Thijs, CEO i KBC Group, u shpreh i kënaqur me përfundimin e kësaj blerjeje:

“Duke blerë Raiffeisen Bank (Bullgari) dhe filialet e saj, ne do të sigurojmë ndërmjetësim financiar me cilësi të lartë për më shumë se 2.5 milionë klientë bullgarë.”

Raiffeisen Bank operon prej vitesh edhe në Shqipëri.  Kohët e fundit janë shtuar zërat se Raiffeisen Bank do të largohet edhe nga vendi ynë, duke shitur 100% të aksioneve./Zoom.al