zoom

Ide & Blog

Qorrat në funksion të kapitalizmit mediatik

Qorrat në funksion të kapitalizmit mediatik

 

Duke ju referuar Umberto Ekos (Umberto Eco), sfida kryesore që ka ngritja e një sipërmarrje në pellgun ujëmbledhës të Mesdheut është përballimi me sukses i presionit të mafies dhe shtetit. Krimi i organizuar dhe shteti i çorganizuar janë, për filozofin e shquar, kërcënuesit më të mëdhenj të zhvillimit dhe ndërtimit të një biznesi, qoftë ky i madh apo i vogël.
Po të kthehesh e të shikosh në realitetin shqiptar e dallon shumë qartë që jemi një vend mesdhetar si e përshkruan Umberto Eko. Por në vendin tonë kërcënimi merr edhe një dimension të tretë, mediat. Jo të gjitha mediat janë rrjepës të bizneseve ashtu si jo të gjithë politikanët janë të korruptuar.
Bashke me krimin dhe politikanët e korruptuar, mediat gjobë-vënëse janë ndër bllokuesit kryesorë të investimeve të huaja në vend. Mediat si kobure kërcënuese për bizneset e mëdha dhe të mesme janë bërë përfituesit kryesorë të ekonomisë që ndërtojnë sipërmarrjet shqiptare. Këtë e bëjnë nëpërmjet lajmeve të stisura dhe emisioneve me porosi për të goditur nga goja e personave të gatshëm të vihen në shërbim.
Është bërë e njohur tashmë që nëse kërkon reklamat e një biznesi të madh mund të ftosh në studio ndonjë Qorr (jo të verbër) apo të ngjashëm me të dhe ta pyesësh për atë biznes. Sigurisht që Qorrit dhe të tjerë të ngjashëm me të i vjen lehtësisht sulmi karshi çdo biznesi, pasi mund të kenë teoritë e veta ku bota është më mirë pa biznese fare dhe ku shteti duhet të ketë kontrollin e gjithçkaje, si para viteve ‘90 në Shqipëri. Ka edhe nga ata që u mbetet hatri për një biletë në një ndeshje futbolli dhe shfrytëzojnë Qorrin për të shfryrë mllefin. Disa media, më të lehtë e kanë televizionet e vogla, sa herë duan të rrisin arkëtimet nga reklamat, e kanë zgjidhjen gati. Hapen video-telefonatat dhe del Qorri në ekran që u përgjigjet me naivitet pyetjeve që folësave në studio u vijnë në kufje nga drejtorët që duan të pasurohen. Qorri dhe të tjerë të ngjashëm, të gatshëm për t’u përdorur në këmbim të përfitimeve apo hapësirave televizive, janë duke pasuruar edhe më tej pronarë televizionesh. Herë pas here këtë e bëjnë sepse edhe ata mund të kenë futur diçka në xhep nga konkurrenca.
Edhe pse publiku ka krijuar një edukim dhe njohje të mjaftueshme të rrengjeve mediatike kur vendosin gjoba, kur duan më shumë reklama dhe ndere të tjera, Qorri është aty. Përherë i gatshëm, sa herë nëna parti mediatike e thërret në detyrë për t’iu sulur bizneseve dhe për t’iu çuar gjahun pronarëve të mediave që t’i sigurojnë disa minuta më shumë në daljen e radhës. Shërbimi që ofrojnë këta të ftuar, që janë gati për llogoren e gjobëvënies sa herë u telefonon, i ngjan edhe një shërbimi tjetër që marrin pronarët dhe drejtorët e televizioneve.
Instrumente në duart e pronarëve dhe drejtorëve të mediave tashmë janë bërë të ngjashëm me mafian dhe me politikanët që Umberto Eco përshkruan. Nëse do kishte jetuar në realitetin shqiptar, me siguri do e kishte listuar edhe Qorrin e llogores së gjobëvënësve si një dimension i tretë i atyre që jetojnë në kurriz të përpjekjeve të sipërmarrjes. Qorrat janë bërë ushtarët e rreshtit të parë të kapitalizmit mediatik që po instalon sistemi i ri. Dhe si të tillë, janë po të parët që ia mbathin kur Topave të ngritur në llogoret gjobëvënëse nisin e u bien rrotat Kanaleve.

Shkëlqim Kecaj – profesor i shkencave në Universitetin Aleksander Mojsiu