zoom

Ekonomi

Qeveria zgjat afatin e investitorëve strategjikë. Rriten çmimet referencë në bregdet

Qeveria zgjat afatin e investitorëve strategjikë. Rriten çmimet referencë në bregdet

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, tregoi për mediat se qeveria ka hartuar një udhëzim të ri për taksën e kalimit të pronësisë, ku parashikohet amortizimi, ulja e çmimeve reference me 1% çdo vit në varësi të moshës së ndërtesës. Pra sa më e vjetër ndërtesa, aq më i ulët çmimi referencë.

Duke mbetur në të njëjtin sektor, ministri tha se do të ketë një rishikim dhe të çmimeve të referencës për bregdetin, me ndarje sipas zonave.

Ai njoftoi edhe hyrjen në fuqi të ndryshimeve të reja të tatimit mbi të ardhurat personale, ku janë përfshirë edhe profesionet e lira, duke e quajtur si ‘drejtësi në tatimin e të ardhurave’.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, ministri Mete njoftoi se po shqyrtohet zgjatja e afatit të investimeve strategjike, që ka përfunduar më 31 dhjetor 2023.

Për sigurimin e detyrueshëm të banesave, ministri u shpreh se po diskutohet nëse primi që do të paguhet të jetë i unifikuar apo të ndahet sipas zonave më të rrezikuara dhe vlerës së banesave.

Për 2024-n, qeveria pret rritje të ardhurash me 40 mld lekë, krahasuar me 2023-shin dhe rritje ekonomike të njëjtë. Mete u shpreh se borxhi publik do të ulet nën 60% të PBB-së gjatë 2024-s, paralelisht me inflacionin.

“Plani i Rritjes, Growth Plan, i prezantuar së fundmi nga Komisioni Evropian, i cili pritet të shërbejë si shtysë për përshpejtimin e procesit të integrimit dhe reformave, do të shoqërohet me një paketë financiarE, ku vendi ynë pritet të përfitojë deri në 1 miliardë Euro, në formën e granteve dhe kredive të buta, krahas mbështetjes që merr aktualisht nga programet IPA”, tregoi ministri i Financave.