Aplikacion
Artan Tafani, i penduari i drejtësisë dhe ish-pjesë e bandës së Laert Haxhiut, ka dhënë sot një dëshmi tronditëse në sallën e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ka rrëfyer për herë të parë rolin e tij dhe të bashkëpunëtorëve në disa krime, përfshirë vrasjen e Fridman Xhaferrajt.
Sipas dëshmisë së Tafanit, krimi është kryer me urdhër të Laert Haxhiut, pas një telefonate ku u pretendua se viktima kishte folur për “punë malli” në telefon. Tafani tregon se i riu u mashtrua duke u marrë në një udhëtim drejt Korçës me pretekstin e paketimit të lëndëve narkotike, ndërkohë që synimi ishte eliminimi i tij.
“Fridmani qante, lutej, kërkonte të falej,” dëshmoi Tafani në gjykatë. Ai përshkroi me detaje momentet e fundit të jetës së viktimës, i cili u dhunua dhe më pas u ekzekutua me goditje në kokë, përpara se trupi i tij të hidhej në rezervuarin e Gjankshit. Viktima u lidh me një gomë makine dhe më pas me gurë, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.
Pas zbulimit të trupit të pajetë në ujërat e rezervuarit, pjesëtarët e bandës u shpërndanë. Tafani rrëfen se për një kohë qëndroi në Sarandë, ndërsa më vonë u largua jashtë vendit, ku sërish u takua me Laert Haxhiun, i cili i përmendi plane për vrasje të tjera, përfshirë një tjetër emër: Rexhep Ginaj.
Pjesë nga rrëfimi i Tafanit:
Ligori mori në telefon Laertin dhe i tha se Klisman Xhaferri kishte folur në celular me dikë për punë malli. Menjëherë, sapo ishim në hotel, na tha Laerti: “Çohuni, do ikim në Korçë ta vrasim.
Në makinë Laerti i tha: “Do e vrasim Fridmanin.Marigleni dhe Bledari zbritën më pas nga makina. Ne vijuam për në Korçë. Në një rezervuar ku shkuam, Laerti nuk e pëlqeu vendin. Ia rekomanduan Bledar Berberi dhe Mariglen Topuzi. Në Korçë shkuam unë, Laerti dhe Lulzimi. Shkuam te shtëpia e Ligor Romaçkes. U nisëm për te rezervuari i Gjankshit. Na çoi Ligori si i zonës. Laertit i pëlqeu. Lulzimin e lamë aty, shkuam dhe morëm një litar e një gomë makine. E morëm Fridmanin në makinë, po s’i thamë gjë ku do shkonim. I thamë: “Do paketojmë hashash.” Sa mbërritëm, Laerti i thotë Fridmanit: “Po qysh ishte ai muhabeti që ke thënë ‘do flas po s’më nxorët nga burgu’?” Ai tha: “Jo.” Qante i shkreti. Lutej, “O Marius,” më thoshte, “thuaj të më falë.”
Gjuajti njëherë Lulzimi me e kap në kokë, ai lëvizi kokën. Pastaj Laerti i tha: “Vrite,” Lulzimit. I gjuajti mbrapa kokës, po ai lëvizte akoma, merrte frymë akoma. Pastaj i ramë me atë gomën. E lidhëm me litar dhe e futëm në rezervuar. E lidhën trupin edhe me gomë që ta fundoste në ujë. Njëherë doli në sipërfaqe, pastaj e lidhëm me gurë e hodhëm brenda.
Pjesën tjetër të lekëve e mbajti Laerti. Unë ika, rrija në Sarandë në behar. Kur doli në lajme që ishte gjetur trupi i Fridmanit në Gjanç, më mori Lulzimi, më tha: “Hajde pak në Tepelenë.” Nuk doja të ikja. Erdhi në Sarandë Lulzimi me Laertin. Gjatë kësaj kohe, Lulzimi u shpall në kërkim. Laerti iku në Greqi. Pas ca kohësh ika dhe unë. Kur takova Laertin, më përmendi që “do vrasim Rexhep Ginajn./ Zoom.al