zoom

Aktualitet

Artan Tafani jep detaje tronditëse: Si i morëm makinën çiftit me dhunë për atentatin me tritol

Artan Tafani jep detaje tronditëse: Si i morëm makinën çiftit me dhunë për atentatin me tritol

Artan Tafani, i penduari i drejtësisë në dosjen e bujshme të Laert Haxhiut dhe grupit të tij kriminal, ka dhënë detaje të reja tronditëse për aktivitetin e bandës, duke rrëfyer ngjarjen e vitit 2022, kur u vendos tritol në banesën e Bujar Tukut.

Tafani ka treguar se shkak për vendosjen e lëndës plasëse ishte dyshimi se Bujar Tuku kishte strehuar nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurtin. “Nuk plasi, e lamë ashtu në vendngjarje dhe ikëm”, ka deklaruar Tafani për ngjarjen.

Në dëshminë e tij, Tafani ka rrëfyer edhe mënyrën sesi grupi siguronte mjetet e lëvizjes për të kryer atentatet. Ai ka treguar se përdornin makina të regjistruara në emrat e të dashurave të anëtarëve të grupit, për të shmangur gjurmët.

Në një rast, sipas Tafanit, ata kanë marrë me dhunë një makinë të një çifti të rastësishëm në rrugë.

“Na duhej një makinë, pamë një makinë të parkuar ku brenda ishte një çift. Trokitëm dhe u thamë jemi policia, keni parkuar keq. Ajo vajza u tremb, djalin e qëlluam me një dackë. I zbritëm nga makina, e morëm dhe ikëm”, deklaroi Tafani.

Pas marrjes së mjetit, grupi është takuar me Laert Haxhiun në rrugën e vjetër, ku Laerti drejtonte makinën Audi, ndërsa Tafani dhe të tjerët e ndiqnin nga pas.

Ky rrëfim është pjesë e dosjes voluminoze që SPAK ka ngritur ndaj grupit kriminal të Laert Haxhiut, të përfshirë në disa atentate dhe ngjarje të rënda kriminale./ Zoom.al

Postime të lidhura