zoom

Aktualitet

Pse u bllokuan pajisjet e Guardia di Finanza në Durrës? Dyshimet e forta për një operacion të dekonspiruar

Pse u bllokuan pajisjet e Guardia di Finanza në Durrës? Dyshimet e forta për një operacion të dekonspiruar

Një episod i ndodhur në Portin e Durrësit ka ngritur dyshime të forta mbi përfshirjen e policisë dhe prokurorisë së Durrësit në një skandal të përmasave të mëdha.

Policia bllokoi disa pajisje të dyshuara si përgjuese, të sjella nga dy zyrtarë të Guardia di Finanza në një traget të linjës Bari – Durrës.

Në zbritje nga trageti dy oficerët italianë dhe një specialist IT kaluan pa asjë problem. Por kur morën tragetin për t’u kthyer në Bari, ata u ndaluan për shkak të pajisjeve përgjuese.

Mjetet u sekuestruan, ndërsa italianët vetë u larguan pasi dhanë shpjegime. Ata thanë se po kryenin përgjime në traget, në ujërat ndërkombëtare dhe nuk e kishin përdorur pajisjen në Shqipëri. Por autoritetet shqiptare ua bllokuan përgjuesit.

Veprimet e autoriteteve shqiptare kanë ngritur dyshime të forta. Interpol Roma kishte dërguar një shkresë në lidhje me këtë hetim që autoritetet italiane po kryenin dhe mbi personat që po hetoheshin.
Por pavarësisht kësaj, pajisjet përgjuese u sekuestruan dhe autoritetet shqiptare pritet t’i ekzaminojnë për të zbuluar se çfarë kanë përgjuar italianët.

Ky fakt, i ka bërë italianët të dyshojnë mbi interesat që mund të fshihen pas veprimit të paprecedentë.

Burime nga struktura të ndryshme të zbatimit të ligjit thonë për Zoom.al se veprimi nuk ka qenë rastësor. Përkundrazi, ekziston frika se kontrolli është kryer jo për arsye standarde sigurie, por për të kuptuar se cilët persona kanë përgjuar italianët dhe çfarë informacioni kanë arritur të mbledhin.

Sipas disa burimeve të besueshme të Zoom.al, pajisjet e Guardia di Finanza mund të kenë qenë pjesë e një operacioni monitorimi të një grupi të njohur të krimit të organizuar në Durrës, të lidhur me trafikun e drogës dhe veprimtari të tjera kriminale. Sipas tyre, bëhet fjalë për grupin e “Pojës” apo të Troplinëve.

Nëse kjo pistë konfirmohet, atëherë kontrolli ndaj italianëve merr një tjetër kuptim. Kjo për faktin se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është akuzuar nga opozita se i shërben grupit të “Pojës”, pasi edhe në detyrë është me mbështetjen e Ergys Agasit, i cili, sipas ish -zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, është koordinatori i “Pojave” me kryeministrin Edi Rama.

Dyshimet janë se policia e Prodës po kërkon së pari të zbulojë se çfarë ka në pajisjen e përgjimit të italianëve, kë kanë përgjuar ata dhe çfarë informacionesh kanë arritur të mbledhin dhe së dyti, me bërjen publike të këtij incidenti është tentuar dekonspirimi i operacionit.

Nëse Guardia di Finanza po monitoronte aktivitetin e grupit të “Pojës” dhe nëse Interpol Roma kishte njoftuar autoritetet shqiptare mbi operacionin, përse duheshin sekuestruar pajisjet përgjuese, duke penguar në këtë mënyrë hetimin?

Rasti ka ngritur shumë pikëpyetje dhe pritet që italianët të reagojnë ashpër. Grupi i “Pojave” është përfolur gjatë për veprimtari kriminale, por goditja atyre u erdhi vetëm nga Antimafia Italiane, e cila zhvilloi një operacin të përbashkët me SPAK. Në atë kohë, kryepolici Ilir Proda deklaroi publikisht në konferencën për shtyp me Antimafian Italiane dhe SPAK se policia nuk kishte pasur asnjë dijeni mbi hetimet, duke nënkuptuar se ishte anashkaluar qëllimisht. /Zoom.al

Postime të lidhura