zoom

Lajme

Pse RAI 3 nuk e transmetoi pjesën e dytë të investigimit për Shqipërinë? Presion diplomatik apo…

Ndryshe nga raportimet gjatë ditës të autorit të emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci, televizioni shtetëror italian RAI 3 nuk e ka transmetuar mbrëmjen e kësaj të diele pjesën e dytë të investigimit, për marrëveshjen e refugjatëve mes Italisë dhe Shqipërisë.

Motivet dhe justifikimet paraprake nuk bindin shumë, duke pretenduar se po rakordohet intervista me kryeministrin Edi Rama. Por sulmet nga ky i fundit ishin pothuajse të përditshme, si në shkresa zyrtare, edhe në distancë, duke e cilësuar një “emision me shpifje, me qëllim baltosjen e Shqipërisë”.

Emisioni “Report” në RAI 3 prej një jave ka nxitur reagime të forta në politikën shqiptare, por edhe në Itali. Në puntatën e së dielës nuk ka dhënë pjesën e dytë të materialit, reportazh të cilin e pati paralajmëruar pothuajse çdo ditë përmes postimeve në rrjetet sociale.

Më herët gjatë të dielës, kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi gjatë konventës së partisë së saj se homologu i saj shqiptar, Edi Rama, po sulmohej për faktin e vetëm se po ndihmonte kombin italian. Në fjalimin e saj të gjatë, Meloni kërkoi nga mbështetësit që të shprehnin solidaritet me Ramën.

Ndaj deklaratave të Melonit reagoi Sigfrido Ranucci, autori i emisionit “Report”. Ai shkoi edhe më tej duke paralajmëruar publikimin e pjesës së dytë me të tjera investigime.

Por më pas gjatë emisionit, pjesa e dytë e reportazhit nuk u dha. Madje nuk pati as edhe një shpjegim se pse pjesa e investigimit për Shqipërinë u anulua. Thjesht një postim i gazetarit se puna me intervistën e kryeministrit vazhdon.

Por a mund të fshihet diçka tjetër pas kësaj? Nga presionet politike dhe diplomatike, te kulisat e panjohura? Ditët në vijim dhe reagimet do na tregojnë më shumë.

Postime të lidhura