zoom

Ekonomi

Propozimi i Tabakut: Të mos marrë leje ndërtimi asnjë kompani që nuk justifikon burimin e parave

Deputetja Jorida Tabaku ka dorëzuar në Kuvend një projektligj për parandalimin e pastrimit të parave nëpërmjet ndërtimit ku synohet verifikimi i burimeve të ligjshme të ndërtuesve.

Sipas dokumentit, subjekti ka detyrimin që të paraqesë një raport të detajuar të të ardhurave, ku të jetë vlera totale e investimit dhe të ardhurave të përdorura për realizimin e ndërtimit, të specifikuar sipas zërave. Subjekti ka detyrimin të justifikojë burimin e ligjshëm të të ardhurave.

Në përcaktimin e pjesëve që konfiskohen dhe ato për të cilat lëshohet certifikata e përdorimit, autoriteti merr parasysh të drejtat e fituara nga palët e treta me mirëbesim.

Kështu, raporti do të jetë i detyrueshëm që në fazën e aplikimit për leje ndërtimi. Raporti duhet të përmbajë në mënyrë të detajuar totalin e vlerës së investimit të planifikuar për realizimin e projektit, të ardhurat e disponueshme të subjektit, të ardhurat që do të sigurohen nga huatë, kreditë bankare, kontratat e shitjeve, kontratat e shkëmbimit dhe nga burime të tjera, me kusht që ligjshmëria e këtyre të ardhurave të provohet përpara lëshimit të certifikatës së përdorimit.

Në rast se subjekti nuk arrin të provojë burimin e ligjshëm të të ardhurave për një pjesë apo për të gjithë ndërtimin e realizuar, autoriteti përgjegjës vendos konfiskimin e ndërtimit në raport me pjesën që rezulton e pajustifikuar me burime të ligjshme. Në këtë rast, autoriteti përgjegjës mund të lëshojë certifikatën e përdorimit vetëm për atë pjesë të ndërtimit që rezulton e justifikuar me burime të ligjshme.

Tabaku, në fjalën e saj në komisionin e Ligjeve tha se në 141 raste kur kompani ndërtimi kanë marrë leje, në masën 59% të tyre nuk I kanë burimet financiare për realizimin e projekteve dhe në 60% të vlerës së ndërtimeve mendohet që vijnë nga paratë e pista, duke ju referuar raporteve ndërkombëtare.

“Këto kompani që paguajnë 8% maksimumi të vlerës si pjesë e taksës së infrastrukturës, vetëm kjo është vlera formale zyrtare që paguhet sot me sektorin bankar. 92% e vlerës së një ndërtimi që shkon deri në 2500-3000 Euro sot është jashtë sektorit bankar dhe ne këtë duhet ta rregullojmë.  Kompanitë e ndërtimeve duhet patjetër që përpara se të marrin lejen tek autoriteti përgjegjës për lejen, nga pushteti vendor, duhet të mbartin detyrimin për të verifikuar dorëzimin e raportin e ligjshmërisë së burimit të të ardhurave” sqaroi deputetja.

Ajo shtoi se miratimi i këtij propozimi i jep liri Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave të kryejë më mirë punën e saj.

“Kjo thjeshtë i jep mundësi Drejtorisë për të ushtruar më mirë veprimtarinë e saj dhe pushtetit vendor të marr informacion dhe të verifikojë.  çfarë ka bërë më shumë qeveria shqiptare me VKM-më që ka sjellë për ndërtimet pa leje për katet shtesë pa leje? Refuzon që t’ia regjistrojë atyre, ia konfiskon atyre me një VKM, pa u bërë ligj. Kurse ne po kërkojmë që kjo gjë të formalizohet me një proces ku pushteti vendor kontrollon burimet e financimit. A ka sot cënim më të madh të sigurisë kombëtare se pastrimi i parave? A ka sot cënim më të madh të sigurisë kombëtare se të thuash se 60% e të ardhurave që vijnë në ndërtim, firmat e ndërtimit nuk I kanë? Kjo nuk I prek kompetencat e pushtetit vendor dhe nuk I prek kompetencat e Agjencisë, as Drejtorisë”, u shpreh Tabaku.

Deputetja tha se numri i kompanive të ndërtimit është shtuar me 17% por të ardhurat në sektorë janë rritur me 3 miliardë, ndërkohë që të ardhurat e kompanive vetë kanë rënë nga 18.6% në 11%, sepse nuk deklarojnë kompanitë, pra ka një sistem informal dhe është një ndër tre sektorët me risk për sa i përket pastrimit të parave.

“Ku është problemi këtu?  Do të thoshit juve disa vite më parë, ku është problemi lidhur me kompetencat e pushtetit vendor kur unë kërkoj që ato të deklarojnë burimin e parave, që mos të futen në ekonomi para të pista? Këto çështje duhet të na bashkojnë, jo t’na ndajnë! I qëndroj ndryshimeve të mia, nuk dua të copëzohen as të ndahen, pasi ligji e ka mundësinë t’i akomodojë. Kam vullnetin nëse këtu ,pasi jeni të gjithë juristë, sillni ndryshime për ta përmirësuar nga pikëpamja juridike, jam e gatshme!”, përfundoi deputetja Tabaku.