Aplikacion
Ishte data 3 dhjetor 2012 kur Adriatik Llalla do të dekretohej nga Presidenti Bujar Nishani si Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë.
Llalla vinte nga një eksperiencë 4-vjeçare në krye të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe deklarimit të pasurive, ku hetohen edhe pasuritë e politikanëve dhe funksionarëve publikë. Me premtimin se do ta nxirrte Shqipërinë nga bataku i korrupsionit, Kryeprokurori do të trondiste në fillesat e detyrës së tij me deklarata të bujshme, për arrestime politikanësh në vjeshtë apo dosje hetimore që mund të ndryshonin fatin e vendit, deklarata që mbetën veç fjalë.
Në bazë të parashikimeve ligjore, pas largimit nga Prokuroria e Përgjithshme, Llalla kishte mundësi të vijonte karrierën si gjyqtar apeli, por zgjodhi të jepte dorëheqjen nga sistemi, duke iu shmangur kështu vetting-ut.
Por kur nisi tatëpjeta e figurës së Adriatik Llallës?
Në vitin 2018 do të dilnin në pah përplasjet mes Adriatik Llallës dhe asokohe ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Pretendimet për shkakun e konfliktit ishin të ndryshme. Donald Lu deklaroi se Adriatik Llalla kishte punuar kundër reformës në drejtësi.
“Janarin e kaluar unë thashë se Z. Llalla kishte vepruar kundër reformës në drejtësi. Unë nuk kam asgjë personale me Z. Llalla. Unë dhe qeveria ime kemi investuar shumë përpjekje në reformën në drejtësi dhe nuk do të lejojmë asnjë zyrtar të vetëm, sado i lartë të jetë ai, që të pengojnë këtë reformë”, tha Lu.
Në maj të vitit 2017, Llalla i dërgoi një letër Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke pretenduar se Lu i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës, në atë kohë kryetar Kuvendi dhe se ai e kishte refuzuar këtë kërkesë.
“..ambasadori Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm se duhet të arrestonte Kryetarin e Parlamentit dhe gjithashtu kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Në pretendimet e Z. Lu, Kryetari i Parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte reformën në drejtësi dhe se arrestimi i tij do ta ndihmonte Shqipërinë të integrohej sa më shpejt në bashkimin Evropian…”, shkruante Llalla.
Letrës së Llallës, Lu iu përgjigj kështu:
“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij”.
Ndërkaq, në letrën e tij, Llalla akuzonte Lu për lidhje me Sorosin. Pikërisht ky pretendim do të përmendej masivisht më pas nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, duke e konsideruar reformën në drejtësi një komplot sorosian.
Më vonë, Llalla tha se ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin i kishte kërkuar edhe arrestimin e Berishës. Për të dy rastet, kishte informuar Metën dhe Berishën.
Anulimi i vizës amerikane
Në janar të vitit 2017, Ambasada Amerikane në Tiranë i anuloi vizën bashkëshortes së Adriatik Llallës, Ardiana Llalla, për të udhëtuar drejt SHBA, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Vendimi ishte një goditje e rëndë për Adriatik Llallën, pasi mbante ende postin e kryeprokurorit. Kur plotësoi formularin për pastërtinë e figurës për llogari të vetting-ut, Llalla pretendoi se gruaja e tij kishte përdorur vizën diplomatike për një vizitë jo diplomatike në SHBA.
Shpallja non grata
Në shkurt të vitit 2018, tre muaj pasi kishte lënë detyrën e kryeprokurorit, Adriatik Llalla do të merrte një tjetër goditje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë vendimtare për fundin e tij si i kërkuar nga drejtësia. Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për ta vendosur Adriatik Llallën dhe familjen e tij në listën e zezë e zyrtarëve që u ndalohet hyrja në SHBA, për korrupsion madhor dhe sidomos për mbrojtjen e korrupsionit të politikanëve.
Shërbimet sekrete: Llalla lidhje me krimin
Në 11 shkruar 2017, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe organe të tjera ligjzbatuese, hartuan një raport për llogari të Vetingut, duke konstatuar se Adriatik Llalla kishte kontakte me persona të përfshirë në krim të organizuar.
“Për subjektin e rivlerësimit Adriatik Xhemal Llalla, administrohen informacione konfidenciale dhe informacione të tjera, prej të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte të papërshtatshme për persona të përfshirë në krimin e organizuar”, thuhej në raport.
Bëhej fjalë për Ardian Beshirin, një personazh me rekorde kriminale, të cilit Llalla i kishte shitur një tokë në Mjull Bathore me vlerë 249 mijë euro, tokë të cilën Llalla e kishte blerë rreth 17 herë më lirë.
Shumëfishimi i pasurisë
Në 9 janar 2007, në kohën kur Llalla mbante postin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës bleu 3 mijë metra katrorë ullishte në Mjull Bathore për 15 mijë USD. Këto para thotë se ia ka marrë borxh kunatit. Më 4 qershor 2016, Llalla ia shet tokën për 249 mijë euro kompanisë LIM-EM në pronësi të vëllezërve Shkëlqim dhe Ardian Beshiri. Në vitin 2013, kompania LIM-EM u shpall fituese për ndërtimin e një restoranti mbi tarracën e Prokurorisë së Përgjithshme, duke krijuar kështu dyshime të forta për një lidhje klienteliste me Adriatik Llallën.
Hetimi, konfiskimi i pasurive dhe dënimi
Më 15 mars 2018, ishte Prokuroria e Durrësit ajo që regjistroi fillimisht procedimin penal ndaj Llallës nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të shumave monetare në kufi. Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dosja më tej kaloi në SPAK, meqenëse Llalla ishte subjekt dhe në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.
Në dhjetor të vitit 2020, Gjykata Speciale pranoi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e një pjesë të pasurive të Adriatik Llallës, ku përfshiheshin një apartament banimi në Durrës 67.2 m² dhe 4 sipërfaqe toke në Tiranë me sipërfaqe 22 mijë metrash katrorë.
Në maj të këtij vitit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK dënoi me 2 vjet burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, konvertuar në 1 vit e 4 muaj burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar. Nga të katër akuzat, mbeti vetëm akuza e fshehjes së pasurisë. Vendimi i shkallës së parë së Gjykatës Speciale u konfirmua dje nga Apeli, duke sjellë si rrjedhojë shpalljen e Llallës në kërkim policor për të vuajtur dënimin.
Për t’i dhënë fund të gjithë kësaj sage, Adriatik Llalla ra në pranga në Romë tre ditë më parë, teksa aktualisht po kryhen procedurat e nevojshme të ekstradimit të tij në Shqipëri. @Zoom.al