zoom

Aktualitet

Porositi nga burgu vendosjen e tritolit në makinën e 36-vjeçarit, kush është vrasësi me pagesë, Sabah Nuzi

Porositi nga burgu vendosjen e tritolit në makinën e 36-vjeçarit, kush është vrasësi me pagesë, Sabah Nuzi

33 vjeçari Sabah Nuzi, i cili ndodhet aktualisht në burgun e Fushë-Krujës, dyshohet se është porositësi i vendosjes së lëndës plasëse në një automjet në rrugën “Vasil Ndoçka” në Tiranë, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 marsit.

Sipas hetimeve, Sabah Nuzi dyshohet se ka urdhëruar vendosjen e eksplozivit në automjetin në pronësi të Oltion Klosit, ndërsa ekzekutimi i planit është kryer nga persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.

Por kush është Sabah Nuzi?

33-vjeçari është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi akuzohet se ka ekzekutuar kundrejt pagesës prej 50 mijë eurosh 22-vjeçarin Klevis Lleshi, një ngjarje e ndodhur rreth një vit më parë. Për këtë rast, Nuzi u arrestua më 26 shtator të vitit të kaluar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, i dyshuar si porositësi i vrasjes së Lleshit. Sipas hetimeve, Nuzi ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje.

Sabah Nuzi rezulton me precedentë të theksuar kriminalë. Në vitin 2020 ai u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person. Ndërsa më herët, në vitin 2012, kur ishte vetëm 18 vjeç, është arrestuar për plagosjen e tre personave me armë zjarri.

Aktualisht ai ndodhet në burgun e Fushë-Krujës, i akuzuar për disa vepra të rënda penale, mes tyre “Vrasje për gjakmarrje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, si dhe për përfshirje në “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Organizatë kriminale”.

Ndërkohë, lidhur me shpërthimin në Tiranë, policia ka finalizuar operacionin e koduar “Porosia”, duke arrestuar shtatë persona të dyshuar si të përfshirë në vendosjen dhe realizimin e shpërthimit.

Të arrestuarit janë Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti, të dyshuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” janë arrestuar Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla.

Sipas hetimeve, Jurgen Gjonaj dyshohet se është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive në automjet, ndërsa është ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët i kanë siguruar informacionin për automjetin, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe lëndën plasëse.

Ndërkohë, tre personat e tjerë dyshohet se kanë transportuar me automjet autorin pas vendosjes së eksplozivit. Gjatë operacionit janë sekuestruar biçikleta e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit, disa automjete dhe aparate celularë që dyshohet se janë përdorur nga të përfshirët.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.

Postime të lidhura