Aplikacion
Merr një tjetër rrjedhë hetimi lidhur me shpërthimin me tritol të automjetit të Oltion Klosit, ngjarje e ndodhur më 10 mars në Tiranë, për të cilën janë arrestuar 7 persona.
Fillimisht, të ndaluarit nuk kanë dhënë deklarime, por më pas kanë pranuar autorësinë, duke zbuluar detaje të reja për organizimin e ngjarjes.
Në fillim, policia dyshoi se motivi lidhej me një konflikt të ndodhur në Spanjë mes porositësit Sabah Nuzi, i cili ndodhet në burg për vepra të rënda penale, dhe Oltion Klosit, për një borxh të pashlyer prej 15 mijë eurosh.
Megjithatë, nga dëshmitë e të arrestuarve ka rezultuar se Nuzi dhe Klosi nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Sipas deklarimeve, porosia për vendosjen e eksplozivit është dhënë nga Sabah Nuzi në emër të personave të tjerë që kanë pasur konflikte me Klosin, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë i ditur.
Autor i vendosjes së tritolit në automjet rezulton të jetë Jurgen Gjonaj. Ky i fundit ka deklaruar se e mori përsipër shpërthimin për të shlyer një borxh prej rreth 15 mijë eurosh ndaj Sabah Nuzit, borxh që, sipas tij, kishte lindur pas humbjes së një ngarkese droge në Gjermani.
Sipas tij, kryerja e atentatit do të shërbente si mënyrë për shlyerjen e këtij detyrimi.
Në kuadër të operacionit, policia arrestoi Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti, të akuzuar për “Shkatërrim të pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla akuzohen për “Përkrahje të autorit të krimit”.
Hetimet zbuluan se një nga provat kyçe ka qenë biçikleta e përdorur nga autori, e cila ishte vjedhur nga Kristjan Ahmerama dhe më pas ishte fshehur në një ambient në zonën e Laprakës. Vëzhgimi i tij çoi më pas në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.