Aplikacion
Përfaqësues të lartë të politikës ndërkombëtare përshëndetën sot punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Përmes një videomesazhi, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç vlerësoi se “bashkë me PD-në ndajmë orientimin e qëndrueshëm proeuropian”.
“Isha shumë i kënaqur që prita zotin Sali Berisha, mikun tim prej shumë vitesh, në Kroaci gjatë Forumit të IDU-së këtu në Zagreb, disa javë më parë. Patëm një bisedë të gjerë mbi aktivitetet dhe reformimin e partisë. Ne ndajmë të njëjtin orientim të qëndrueshëm pro-europian dhe dëshiroj t’ju jap mbështetjen e fortë të Bashkimit Demokratik Kroat për një kuvend të suksesshëm të partisë dhe për suksese të mëtejshme elektorale”, u shpreh Plenkoviç.
Ndërsa Presidenti i Unionit Ndërkombëtar Demokratik (IDU), Stephen Harper vlerësoi se “Kuvendi i ripërtëritjes së PD-së pasqyron guxim dhe mençuri”.
“Ky është një moment me rëndësi të vërtetë, jo vetëm për partinë tuaj, por edhe për qeverisjen demokratike në të gjithë Shqipërinë dhe rajonin më gjerë. IDU u themelua mbi bindjen se popujt e lirë, të qeverisur nga institucione të përgjegjshme dhe parti demokratike dinamike, ndërtojnë shoqëri më të drejta dhe më të begata. Për katër dekada, IDU ka bashkuar partitë e qendrës së djathtë në mbarë botën në mbrojtje të lirisë individuale, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së përgjegjshme. Partia Demokratike e Shqipërisë është një shtyllë e kahershme e kësaj familjeje dhe sot ne qëndrojmë fort në krahun tuaj”, u shpreh ai.
Sipas Harper, një opozitë energjike dhe e besueshme është ndër asetet më të domosdoshme të demokracisë.
Kuvendit Kombëtar të PD-së iu adresua me një fjalë edhe ish-kongresmeni, përfaqësues i Partisë Republikane të SHBA-së, Bob McEwen.
“Kam qenë i privilegjuar të jem në Tiranë në shkurt të vitit 1991, kur njerëzit vendosën të zëvendësojnë monumentin e një diktatori. Populli i madh shqiptar kishte jetuar nën çizmen shtypëse të socializmit për një kohë kaq të gjatë sa nuk mund të ecte përpara. Kur e rrëzuan monumentin, bazamenti i tij u shkërmoq. Unë mora një prej kësaj cope mermeri, e çova në shtëpi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe e vendosa mbi tavolinë. Dhe shumë shpesh njerëzit më pyesnin: çfarë e ke këtë mbi tavolinë? Dhe unë shpjegoja se kjo tregon se kur një vend ka qenë nën çizmen e tiranisë, të totalitarizmit, lufton për liri, dhe kombi shqiptar i sotëm i ka hedhur bazat e veta pikërisht atëherë”, u shpreh ai.
Sipas tij, “ishte një koalicion i përbërë prej drejtuesve konservatorë, nën drejtimin e Partisë Demokratike, nën drejtimin e Sali Berishës, që e çoi Shqipërinë në NATO”.
“Ky vend ka pasur gjithnjë nevojë për Partinë Demokratike. Kemi nevojë për persona të cilët janë të angazhuar për lirinë, për krijimin e pasurisë, jo për shfrytëzimin e pushtetit të shtetit për t’jua marrë atyre që e krijojnë atë. Prandaj pikërisht këtë ka bërë kjo parti për shumë vite. Pikërisht këtë ka bërë edhe kryetari i kësaj partie për shumë vite.Dhe prandaj, ndër plot vende që mund të vizitoja dhe plot popuj që mund të shikoja, nuk ka një popull tjetër për të cilin unë të ndihem më tepër krenar sesa pikërisht ky popull”, tha McEwen.
Ish-kongresmeni amerikan u shpreh se “ne qëndrojmë pranë jush në të gjithë këtë përpjekje dhe si një popull konservator dhe si popull që e duam lirinë”.
Ndërsa Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat garantoi se PPE mbështet PD-në.
“Synimi është rikthimi në pushtet i demokratëve dhe integrimi i Shqipërisë në BE. Ju po modernizoni gjithë partinë për t’u bërë më të fortë, për të fituar zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, sepse ne duam t’ju shohim në pushtet, në qeverinë e Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë të jetë një demokraci e plotë, të luftojë kundër të gjithë narkotikëve, mafieve dhe krimit të organizuar, t’u rikthejë të gjithë qytetarëve shqiptarë besimin tek kjo komb i madh që është Shqipëria, dhe ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Montserrat.
Deputeti i CDU-së, Peter Beyer u shpreh se CDU ka pritshmëri të larta për PD-në.
“Tani është koha për bashkim për një qëllim të vetëm, integrimin e vendit në BE. Pas pak javësh, do të mbahet në Mal të Zi samiti Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor. Edhe përfaqësuesit e shtetit tuaj do të jenë të pranishëm atje, por ju duhet t’i mbani nën vëzhgim. Ju jeni aktualisht partia opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në Shqipëri dhe pritshmëritë nga unë, nga CDU-ja e Gjermanisë dhe sigurisht nga Europa dhe pjesa tjetër e botës janë shumë të larta. Ne mbështetemi te ju dhe ju lutem merreni këtë përgjegjësi me seriozitetin maksimal”, tha ai.
“Nuk ka kohë për konflikte mes jush apo konkurrencë të brendshme, por të gjithë duhet të përqendroheni, ashtu si ne në CDU në Gjermani, te një qëllim i vetëm; integrimi në Bashkimin Europian”, u shpreh Beyer në videomesazhin e tij drejtuar Kuvendit të PD-së.
Ndërsa deputeti i parlamentit grek, Vassilios Giogiakas përcolli përshëndetjet e përzemërta të partisë Demokracia e Re dhe të kryetarit të saj dhe kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
“Ky kuvend përfaqëson një zgjedhje të vetëdijshme politike për pjesëmarrjen e madhe demokratike. Në të gjithë gamën e partive të së djathtës dhe të qendrës, bëhet thirrje për të bashkëpunuar me brezin e ri, duke shoqëruar përgjegjësinë publike me reforma dhe me besueshmëri institucionale, me inovacion dhe bashkëpunim, si dhe me orientim drejt integrimit evropian. Përpjekjet tuaja për organizimin e strukturave, për modernizimin e komunikimit politik dhe për forcimin e angazhimit të qytetarëve lëvizin pikërisht në këtë drejtim”, shtoi ai.
Giogiakas u shpreh se Greqia vazhdimisht ka mbështetur perspektivën evropiane të Shqipërisë.
“Ne e kemi mbështetur progresin në procesin e aderimit drejt Bashkimit Evropian, veçanërisht ecjen përpara të negociatave në grup-kapitujt kryesorë. Këto zhvillime konfirmojnë se e ardhmja evropiane e Shqipërisë mbetet realiste dhe e arritshme, duke na dhënë mundësinë të vazhdojmë të punojmë në mënyrë të qëndrueshme për zhvillimin e institucioneve dhe arritjen e një konsensusi të gjerë demokratik. Njëherazi, rruga evropiane nuk është vetëm një proces teknik, por është thelbësisht një proces i konsolidimit demokratik dhe pjekurisë institucionale. Në fusha të caktuara, si pavarësia e gjyqësorit, transparenca, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve në një sistem kontroll-balancash, këto janë shtylla thelbësore për çdo vend kandidat që aspiron të bëhet anëtar i familjes evropiane”, theksoi ai.
Sipas deputetit grek, po aq e rëndësishme është edhe mbrojtja e rolit të opozitës në çdo demokraci parlamentare, duke përfshirë të drejtën për shprehje politike dhe pjesëmarrje paqësore në proceset demokratike.
Edhe Presidenti i Internacionales Demokristiane Qendrore (CDI), Andrés Pastrana Arango uroi Berishën për rizgjedhjen, ndërsa u shpreh se ky Kuvend është një moment i rëndësishëm rinovimi dhe modernizimi.
Ai shprehu bindjen se PD do udhëheqë transformimin e vendit. “Internacionalja Demokristiane Qendrore riafirmon solidaritetin e saj të fortë dhe mbështetjen e plotë për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Presidentin Berisha dhe opozitën demokratike. Partitë e forta demokratike janë thelbësore për mbrojtjen e pluralizmit politik, llogaridhënies institucionale dhe besimit të qytetarëve në demokraci. E ardhmja europiane dhe euroatlantike e Shqipërisë duhet të mbetet e ankoruar fort në standardet demokratike, shtetin e së drejtës, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe institucionet e pavarura”, tha ai.
Sipas Presidentit të Internacionales Demokristiane Qendrore (CDI), rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian mund të ecë vetëm përmes reformave të bazuara në meritë, transparencë dhe respekt të plotë të parimeve demokratike.
“CDI dhe partitë anëtare të saj do të vazhdojnë të qëndrojnë fort pranë Partisë Demokratike në përpjekjet e tyre për të mbrojtur vlerat demokratike, pluralizmin politik, shtetin e së drejtës dhe liritë themelore. Opozita demokratike shqiptare nuk është e vetme në këtë përpjekje. Familja ndërkombëtare demokratike do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen, solidaritetin, bashkëpunimin dhe avokimin e saj në mbështetje të Partisë Demokratike, të ardhmes demokratike të Shqipërisë dhe rrugës së saj euroatlantike”, tha Arango.