Aplikacion
Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të gjerë kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, duke goditur një grup kriminal me aktivitet të shtrirë në disa zona urbane. Si rezultat i hetimeve disa mujore, janë identifikuar gjithsej 33 persona të përfshirë në këtë rrjet, prej të cilëve 22 janë arrestuar, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas uniformave blu, ndaj personave të arrestuar është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Mes të ndaluarve janë: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.
Nga hetimet ka rezultuar se aktiviteti kriminal i shpërndarjes së drogës zhvillohej në një numër të madh zonash të Tiranës, përfshirë Kamzën, Laprakën, Selitën, Tiranën e Re, Shkozën, Ali Demin, Xhamllikun, Pazarin e Ri, Shkollën e Kuqe, Astirin, Myslym Shyrin dhe Komunën e Parisit.
Lëndët narkotike shpërndaheshin në mënyra të ndryshme, kryesisht në ambiente lokalesh, tabakino, automjete taksi, si dhe përmes formave të kamufluara që paraqiteshin si shpërndarje porosish të zakonshme.
Gjatë kontrollit në ambiente dhe mjete, policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme droge dhe sende të tjera që shërbenin për aktivitetin kriminal. Konkretisht janë gjetur rreth 500 gramë kokainë, 10 kilogramë Cannabis Sativa dhe rreth 100 doza të gatshme për shitje. Gjithashtu janë sekuestruar 5 automjete, 28 telefona celularë, 6 peshore elektronike dhe rreth 3 mijë euro cash./ Zoom.al