Aplikacion
Ideja e rigjallërimit të shëtitores “Taulantia” dhe hyrjes së qytetit të Durrësit do të ishte padiskutim një hap pozitiv drejt përmirësimit të infrastrukturës urbane dhe nxitjes së turizmit, POR koha dhe qëllimet e një ndërhyrjeje të tillë kanë nxitur dyshime të forta mbi projektin e fundit të Bashkisë së Emirjana Sakos.

Punimet kanë nisur pikërisht në prag të fushatës zgjedhore dhe vetëm pak javë përpara nisjes së sezonit turistik. Kështu zhurma nga makineritë e rënda, prania e pluhurit dhe pamja e një shëtitoreje të shkatërruar në vend të një promenade bregdetare të qetë dhe mikpritëse, do të shoqërojë çdo ditë të turistëve që kanë zgjedhur Durrësin për pushime pranverore apo do të vijnë së shpejti për verën.
Plot 8 muaj do të zgjasë një situatë e tillë!
A është kjo pasojë e një planifikimi të dobët apo një veprim me motiv politik, marrë parasysh hapjen e kantierëve përpara zgjedhjeve, si një menyrë për të mbledhur sa më shume kapital elektoral.

E njëjta skemë është parë edhe në qytete të tjera, ku investimet “magjike” nisin papritur përpara votimeve dhe shpesh mbesin të papërfunduara apo bëhen me cilësi të dyshimtë. (Nuk përfshijmë këtu asfaltimin e copëzuar të rrugëve, kryesisht rurale).
Durrësi me të vërtetë ka nevojë për zhvillim, por qyteti dhe banorët e tij kanë po aq nevojë për planifikim të përgjegjshëm dhe jo veprime të nxituara për efekte politike. Pa një koordinim të mirë dhe transparencë të plotë mbi procesin dhe afatet, edhe projektet më të bukura mund të humbasin besueshmërinë e publikut. Zoom.al/