Aplikacion
Situata në Lindjen e Mesme është tensionuar sërish pas raportimeve për shkëmbime zjarri mes forcave amerikane dhe atyre iraniane në zonën e Ngushticës së Hormuzit. Mediat iraniane bëjnë me dije se incidentet janë regjistruar gjatë kësaj të premteje, pas ndërhyrjes së ushtrisë amerikane ndaj dy anijeve cisternë të lidhura me Iranin.
Sipas agjencisë iraniane Tasnim, për rreth dy orë janë dëgjuar të shtëna dhe shpërthime në zonat pranë ngushticës strategjike, ndërsa përplasja është cilësuar si “e kufizuar”. Raportohet se tensionet nisën pasi autoritetet amerikane ndaluan dy anije me flamur iranian, të cilat dyshohej se po tentonin të thyenin bllokadën detare të vendosur nga SHBA në hyrje të Gjirit të Omanit.
Mbrëmjen e së enjtes, Teherani dhe Uashingtoni akuzuan njëri-tjetrin për sulme ndaj mjeteve detare në Gjirin Persik, duke e përshkallëzuar më tej krizën në rajon. Ngjarja vjen në një moment delikat, kur diplomacia ndërkombëtare po përpiqet të ruajë armëpushimin dhe të shmangë një konflikt më të gjerë ushtarak.
Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA po pret reagimin zyrtar të Iranit ndaj propozimeve për t’i dhënë fund konfliktit që shpërtheu pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj objektivave iraniane në fund të muajit shkurt.
Ndërkohë, mediat iraniane raportojnë edhe për incidente të reja në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku disa persona mbetën të plagosur pas sulmeve me dronë, megjithëse origjina e tyre mbetet ende e paqartë./ Zoom.al