Aplikacion
Një ngjarje e rëndë është zbardhur nga policia e Vlorës, ku tre persona dyshohet se kanë marrë peng një të ri 20-vjeçar me qëllim përfitimin e një shume parash. Në pranga ka rënë një 24-vjeçar, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas informacioneve zyrtare, i arrestuari është Brajan Habazaj, banues në fshatin Risili. Ndërkohë, policia po vijon kërkimet për kapjen e dy bashkëpunëtorëve të tij, vëllezërit Roberto Lapa dhe Leandro Kapllani (Lapa), të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe dhunimin e të riut.
Ngjarja u zbulua pas denoncimit dhe reagimit të menjëhershëm të strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Operacioni policor i koduar “STRIKE 2” çoi në identifikimin e autorëve të dyshuar dhe arrestimin në flagrancë të 24-vjeçarit.
Nga hetimet paraprake rezulton se tre personat kanë marrë me forcë 20-vjeçarin në automjet dhe më pas e kanë çuar në një zonë të izoluar, ku dyshohet se e kanë dhunuar fizikisht. Qëllimi i tyre, sipas policisë, ishte detyrimi i të riut për të dhënë 6 mijë euro.
Ndaj të dyshuarve rëndojnë akuzat për “Rrëmbim ose mbajtje peng të personit” si edhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim./ Zoom.al