Aplikacion
Në majën e deklaratave patriotike dhe në dritën e kamerave, Partia Socialiste nuk e kurseu entuziazmin për Kosovën.
“PS do të angazhohej pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Parlamentit të Kosovës në vitin 2024. Fjali të forta, të mbështjella me solemnitet diplomatik dhe patriotizëm të dukshëm.
Mirëpo, realiteti politik në Tiranë tregoi krejt të kundërtën. Kur opozita shqiptare paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për mocion me debat dhe miratimin e një rezolute që njihte zyrtarisht gjenocidin serb në Kosovë, socialistët, të njëjtët që në fjalime vetëshpallin avoketë të Kosovës, e hodhën poshtë me votë.
Në seancën e fundit parlamentare, kryeparlamentari Niko Peleshi shpalli rezultatin e votimit: 36 pro, 0 abstenime, 72 kundër. Asnjë votë e mazhorancës nuk shkoi në mbështetje të kësaj nisme që do t’i jepte Kuvendit të Shqipërisë një qëndrim moral dhe historik përkrah atij të Kuvendit të Kosovës.
Kjo refuzim bie në kontrast të thellë me deklaratat publike të përfaqësuesve të lartë të PS-së. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, e përshkroi Ramën si një lider që “në mes të Beogradit, ka përsëritur kërkesën për njohjen e Kosovës”. Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se “është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës”.
Por avokatia e vërtetë nuk ndodh me fjalë, ajo ndodh me vota. Dhe kur erdhi momenti për të përkthyer qëndrimin në veprim, PS zgjodhi të heshtë dhe të votojë kundër, duke refuzuar të njohë gjenocidin që Serbia ka ushtruar në Kosovë./Zoom.al