Aplikacion
Pas reagimit të familjarëve të Brikenës, të cilët akuzuan Mateon për cenim të privatësisë gjatë spektaklit të së martës në “Big Brother VIP”, ka ardhur edhe reagimi i parë nga familja e konkurrentit.
E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, motra e Mateos sqaroi se vëllai i saj i kishte folur më herët për Brikenën, por kurrë nuk e kishte cilësuar raportin mes tyre si një lidhje të mirëfilltë. Ajo theksoi se bëhet fjalë për një histori që i përket të dyve dhe, sipas saj, të dy palët kanë të drejtën të zgjedhin nëse duan ta ndajnë publikisht apo jo.
Sipas saj, Mateo nuk kishte dhënë detaje konkrete më parë, por në “prime”-in e fundit u ndje i detyruar të fliste më hapur, pasi po etiketohej si i pavërtetë nga situata e krijuar në shtëpi. Ajo shtoi se bëhet fjalë për dy persona të rritur, të cilët janë të vetëdijshëm për veprimet dhe vendimet e tyre.
Duke folur për raportin aktual mes Mateos dhe Brikenës në shtëpinë e BBV, motra e tij u shpreh se mund të ketë një pëlqim të vjetër të ringjallur, por jo ndjenja të forta.
“Mua Brikena më duket sikur do ta shmangë, por edhe nuk e shmang. Mund të jetë zgjuar një pëlqim i vjetër, por nuk e them dot të jetë zgjuar një ndjenjë. Të dy ngacmohen herë pas herë me buzëqeshje dhe ngacmime, por këtë e ka në dorë Brikena. Mu duk i padrejtë fakti që e çoi në nomimin. Ai ishte një nominim në zarf të zi, Mateos nuk i takonte të ishte pjesë e atij nominimi, pavarësisht se e dija që nuk do dilte. Ka bërë gjënë më të mirë që zinxhirin e filloi me Brikenën sepse tregoi veten të mirë”, tha ajo./ Zoom.al