zoom

Aktualitet

Paralajmërohet publikimi i dosjes “bombë”: Politikanë të lartë dalin te “Toyota Yaris”

“Kam dokumentet, do t’i bëj publike. Aty janë të përfshirë politikanë të lartë!”

Paralajmërimi është i kryetarit të Partisë Demokratike. Sali Berisha dha garanci para gazetarëve se ai e disponon dosjen e SPAK për hetimet mbi dërgesat miliona euroshe përmes dy automjeteve “Toyota Yaris”, nga të cilat ka marrë emrin edhe çështja hetimore.

Tha se do t’i bëjë publike dokumentat, duke paralajmëruar se aty ka “të dhëna përvëluese për zyrtarë të lartë”.

“Gjithçka disponon Sali Berisha, do të ua paraqesë ju. Po kam dokumente për politikanë të lartë, direkt të implikuar dhe unë do t’i paraqes para jush” – deklaroi Berisha.

Sipas ish -kryeministrit, i cili përmendi disa emra si të implikuar, SPAK e ka këtë dosje, por nuk po reagon.

“Unë ju thashë, sepse shumë e drejtë pyetja e shtruar. Pse e quan SKAP-in organizatë kriminale, është gjë shumë e rëndë, apo s’është. Nuk mund ta quaja kurrë nëse nuk do të kisha ato dokumente. Nuk shkon. Kurse ai është kreu i një organizate kriminale se fle mbi to. Fle mbi to se e kanë kapur mat me Ymer Lalën, për arsye se Luftar Reçi e ka denoncuar Ymer Lalën për vrasje dhe zotëria e tij në 19 pyetje si ka bërë asnjë pyetje për vrasjen dhe e ka ekzauruar nga vrasja. Pra ata që menduan se duke më ndryrë mua në arrest në shtëpi, do të mund të shpëtonin nga të vërtetat, tani do të përvëlohen prej tyre”, u shpreh Berisha.

“Toyota Yaris”

Në korrik të vitit 2018, dosja hetimore e 3.4 milionë eurove të gjetura të fshehura në dy makina tip “Toyota Yaris”, në Portin e Durrësit i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ishte ish -kryetari i PD, Lulzim Basha, ai që e përmendi për herë të parë këtë çështje në qershor të atij viti, duke thënë se sasia e madhe e parave ishte nisur drejt portit të Durrësit. Për këtë deklaratë, autoritetet belge që po ndiqnin makinat me para, për të zbuluar destinacionin, e morën në pyetje të paktën 2 herë Bashkën, duke i kërkuar të tregonte se kush ia dha informacionin. Në të dyja herët Lulzim Basha dha versione të ndryshme.

Në parlament ai pati akuzuar Taulant Ballën si pritës të parave. Balla, edhe sipas Berishës, është i implikuar, por ai i ka hedhur poshtë akuzat.

Gazetari Flamur Vezaj, siç treguan edhe përgjimet e SkyECC mes të shumëkërkuarit Suel Çela dhe gazetarit Artan Hoxha, kishte denoncuar një trafikant droge nga Lushnja, që e identifikon me emrin “Tori” apo “lushnjari” si personin që priste t’i vinin paratë e mbledhura nga trafiku i kokainës.

“Tori”, thotë Vezaj, është një ndër trafikantët më të mëdhenj të drogës në Shqipëri dhe se ai kishte para “cash” sa të gjitha grupet e tjera kriminale të marra së bashku, afro 150 milionë euro. Ai ka ndërtuar vitet e fundit edhe një hotel luksoz në jug.

Ish -kreu i Prokurorisë së Vlorës, i arrestuar nga SPAK, në dosjen e “Toyota Yaris” 

Në korrik të këtij viti SPAK vuri në pranga ish -kreun e prokurorisë së Vlorës. Aurel Zarka akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm në katër çështje penenale që lidhen me dosjen “Toyota Yaris” dhe një hetim pasuror të Suel Çelës.

Arrestimi i Zarkës ka ngritur dyshime për zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë dosje.

Zarka është i vetmi i ndaluar, ndërsa personat e tjerë të akuzuar bashkë me të, ish-oficerja e Policisë Gjyqësore, Erjona Dauti, biznesmeni Astrit Vladi dhe avokati Radovan Çela janë në kërkim.

Sipas SPAK, prokurori Zarka në bashkëpunim me Erjona Dautin, Astrit Vladin dhe Radovan Çelën kanë tentuar të ushtrojnë ndikim të paligjshëm përgjatë viteve 2018-2020 për katër çështje penale që lidheshin me të pandehurit Elvis Vladi, Alfred Vladi dhe Alban Mollaymeri.

Të arrestuarit e tjerë

3.4 milionë eurot në dy makinat “Toyota Yaris” u kapën në qershor. Policia arrestoi 4 persona: Agim Çeka, 61 vjeç, Edi Lika (Cani), 41 vjeç dhe i biri, Klevi Lika (Cani), 21 vjeç, si dhe Alban Mollaymeri, 40 vjeç. Në kërkim në lidhje me këtë hetim vijojnë të mbeten kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi.

Sipas prokurorisë së Durrësit, që e hetoi fillimisht dosjen, Elvis Vladi (vëllai i Astrit Vladit) dyshohet se ishte personi që ka gjetur mjetet me qëllim transportin e parave, Lika dhe Cani siguruan transportin e mjeteve, Alfred Vladi do priste mjetet kur të vinin në port, ndërsa që Mollaymeri do zhdoganonte mjetet.

Dosja e “Toyota Yaris” u hetua fillimisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, Ened Nakuçi dhe Doloreza Musabelliu, përpara se të dërgohej në Prokurorinë e Tiranës. /Zoom.al

Postime të lidhura