zoom

Lajme

Opozita mblidhet para Kryeministrisë/ Berisha: Shpallim betejën përfundimtare për fitore

Opozita mblidhet para Kryeministrisë/ Berisha: Shpallim betejën përfundimtare për fitore

Edhe sot, ashtu si çdo të hënë, opozita është mbledhur para Kryeministrisë në foltoren e saj të improvizuar duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita ka hyrë në fazën përfundimtare të betejës së saj politike, me synim fitoren e opozitës dhe ndryshimin për qytetarët shqiptarë. Gjatë fjalës së tij në protestë, Berisha theksoi se kjo është një përballje vendimtare kundër qeverisë aktuale.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe mungesë guximi, duke u shprehur se vjedhja është ajo që e zhvesh njeriun nga kuraja. Sipas Berishës, Rama është politikani më frikacak që ka njohur vendi, pikërisht për shkak të akuzave që rëndojnë mbi të dhe qeverisjen e tij.

Duke iu referuar protestës së organizuar nga Adriatik Lapaj, Berisha tha se bëhet fjalë për një protestë paqësore dhe qytetare, e cila ka frikësuar kryeministrin.

Berisha theksoi se Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë protestat dhe rezistencën deri në realizimin e ndryshimit politik, duke e cilësuar këtë moment si një pikë kthese për opozitën dhe demokracinë në vend.

“Sot mblidhemi për të shpallur para jush dhe mbarë shqiptarëve se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës dhe fitoren e shqiptarëve. Miqtë e mi parafolësit thanë që Ramna është një hajdut i pa përmbajtur, por nga të gjitha ligësitë e njeriut, ajo që shteron guximin më shumë është vjedhja, ndaj Rama është frikacaku më i madh që ka njohur historia. Shihni ç’bën çdo natë me Lapajn në protestën e tij më qytetare e civile, vë një karrige atyre, disa mjete dhe proteston në emër të çdo qytetari”, tha Berisha./ Zoom.al

Postime të lidhura