zoom

Lajme

Protesta e opozitës përpara kryeministrisë, Policia bllokon qarkullimin e automjeteve në bulevard

Protesta e opozitës përpara kryeministrisë, Policia bllokon qarkullimin e automjeteve në bulevard

Partia Demokratike, e drejtuar nga Sali Berisha, do të zhvillojë sot për të pestën javë radhazi një protestë përpara godinës së Kryeministrisë. Tubimi është planifikuar të mbahet çdo të hënë dhe do të zgjasë dy orë, nga ora 18:00 deri në 20:00.

Në lidhje me protestën, Policia e Tiranës ka ndërmarrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimit, si edhe për menaxhimin e qarkullimit rrugor. Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 15:00 e deri në përfundim të protestës do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Gjithashtu, ndalim qarkullimi do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të zhvillimit të tubimit, Policia njofton se mund të vendosen kufizime të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore, ndërsa trafiku do të devijohet në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të mjeteve të shmangin akset që do të bllokohen dhe të përdorin itinerare alternative, në mënyrë që të mos pengohet lëvizja dhe të garantohet siguria gjatë zhvillimit të tubimit.

Sali Berisha vijon organizimin e protestave me synimin e rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që në tubimin e fundit pjesëmarrja ishte e ulët, me më pak se 100 mbështetës./ Zoom.al

Postime të lidhura