Aplikacion
Adriatik Lapaj, së bashku me aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, është rikthyer mbrëmjen e sotme në hapësirën përpara Kryeministrisë, pasi më herët ishte zhvendosur nga policia për shkak të zhvillimit të protestës së Partisë Demokratike.
Duke folur për mediat, Lapaj deklaroi se ndërhyrja e policisë dhe situata e krijuar kishin si qëllim përplasjen e tij me protestuesit e PD-së. Sipas tij, kjo ishte një përpjekje e qëllimshme për të nxitur konflikt mes forcave opozitare.
Lapaj theksoi se ka zgjedhur të shmangë çdo incident dhe se aktivistët e lëvizjes janë pozicionuar pranë Kryeministrisë për të vijuar protestën e tyre në mënyrë paqësore. Ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë interes për të hyrë në konflikt me mbështetësit e opozitës.
“Demokratëve u dërgoj përshëndetjet e mia, por tentativa ishte që të më viheshin përballë tyre. Për këtë arsye u zhvendosëm pak më larg. Qeveria ka qeverisur gjithmonë me parimin ‘përça dhe sundo’ dhe unë nuk do t’ia jap këtë kënaqësi”, u shpreh Lapaj.
Ai nënvizoi se protesta e “Shqipëria Bëhet” do të vazhdojë dhe se fokusi i saj mbetet kundërshtimi i qeverisë, pa u përfshirë në përplasje apo tensione me grupe të tjera opozitare./ Zoom.al