Aplikacion
Në prag të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, opozita duket e ndarë rreth kandidaturës së aktorit Florian Binaj, i propozuar si emër i përbashkët për të bashkuar forcat opozitare.
Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka dalë hapur kundër këtij vendimi, duke e quajtur të nxituar dhe të papërgjegjshëm. Ai akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se “ka hedhur në erë procesin” për zgjedhjen e një kandidati apolitik.
“Mua më duket e papërgjegjshme të marrësh një vendim të tillë pa bërë një matje paraprake. Nuk është serioze të vendosësh mbi një kandidat pa u konsultuar me të gjithë palët e përfshira”, tha Shehaj për mediat.
Ai theksoi se kërkesa për një kandidat jashtë partive nuk ishte qëllim në vetvete, por një mënyrë për të gjetur një emër fitues që do të kishte mbështetje të gjerë. “Nuk kemi asgjë kundër Florian Binajt, por për të dalë me një kandidat të përbashkët duhej të zhvilloheshin sondazhe për të gjithë kandidatët e propozuar”, shtoi Shehaj.
Në ditët në vijim, partia Mundësia do të përcaktojë qasjen e saj për zgjedhjet lokale./ Zoom.al