Aplikacion
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka vendosur të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj në garën për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në një deklaratë publike, Adriatik Lapaj thekson se vendimi vjen si rrjedhojë e situatës së politike në vend dhe nevojës për të nxitur një përfaqësim të ri, “larg pazareve dhe marrëveshjeve të partive tradicionale”.
“Dy ditë më parë propozuam që kandidatët për bashkitë, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, duhet të vijnë nga radhët e qytetarëve të angazhuar dhe jo nga marrëveshjet partiake. Shprehëm gatishmërinë për të mbështetur një kandidat të pavarur që do të merrte përsipër këtë sfidë”, thuhet në deklaratë.
“Shqipëria Bëhet” thekson se ka vendosur të mbështesë Florjan Binajn, duke e konsideruar atë një përfaqësues të denjë të frymës qytetare dhe të vlerave që kjo lëvizje promovon.
“Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja se Shqipëria vlen më shumë se çdo parti,” përfundon deklarata.
Adriatik Lapaj dhe Florian Binaj janë bashkëthemelues të “Shqipëria Bëhet”. Ata e shpallën partinë së bashku me Edlira Çepanin, por pas disa muajsh, aktori i humorit u shpreh se do të tërhiqej nga kjo parti.
Dhe mesa duket, ish-bashkëthemeluesit e kanë gjetur gjuhën përsëri.
Postimi i plotë:
Dy ditë më parë propozuam që kandidatët për bashkitë në këto zgjedhje për shkak të situatës së jashtëzakonshne duhet të vinin nga radhët e qytetarëve të angazhuar dhe jo nga marrëveshjet e partive politike.
Deklaruam se do të mbështesnim një prej kandidatëve të pavarur që do të shpallnin kandidimin në këto zgjedhje.
Duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që janë deklaruar, kryesia e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj.
Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja që Shqipëria vlen mbi partinë.