Aplikacion
Në 27 shkurt 2023, grupi i hakerave iranianë përgjegjës për sulmin kibernetik të vitit të kaluar, Homeland Justice, botoi në Telegram një skedar prej 1GB të quajtur “=rama MailBoxes”, ose “=rama KutitëPostare.”
Ky publikim u shoqërua me artikuj nëpër media të ndryshme që jepnin lajmin se hakerat kishin nxjerrë të dhëna nga letërkëmbimi elektronik i kryeministrit.
Duket se këto artikuj janë mjaftuar me leximin e emrit që hakerat i kishin vendosur skedarit të botuar për t’u bindur se të dhënat e botuara janë vërtet posta elektronike e Ramës.
Skedari i botuar përbëhet nga 10 dosje të cilat përmbajnë kutitë postare elektronike të adresave të emailit parlamentare të 10 deputetëve, në nisje të legjislaturës aktuale.
Emailet në secilën prej këtyre dosjeve janë emaile që u janë dërguar këtyre adresave, apo emaile që këto adresa kanë dërguar.
Adresa e emailit të kryeministrit Rama shfaqet vetëm në emaile të dërguara në mënyrë kolektive, që i janë dërguar si njërit prej 10 deputetëve të mësipërm, dhe kryeministrit.
Kështu, Homeland Justice në të vërtetë ka botuar emailet e 10 deputetëve të mësipërm, dhe vetëm ato mesazhe që janë dërguar apo marrë nga adresa e tyre zyrtare e parlamentit. Të dhënat e botuara nga Homeland Justice përmbajnë emaile që i janë dërguar edhe kryeministrit Rama, vetëm në mënyrë rastësore, nëse emaili në fjalë i është dërguar edhe njërit nga këta deputetë, edhe Ramës.
Përsa i përket fotove ilustruese që shoqërojnë artikujt dhe që shfaqin emaile të dërguar nga kryeministri Rama, ato i përkasin një publikimi të mëhershëm të të njëjtin grup në gusht 2022, kur rrodhën disa emaile në platformën e bashkëqeverisjes me informacione dhe ankesa të qytetarëve./ Faktoje.al