zoom

Lajme

Noka reagon pas përplasjes me Salianjin: E nisi…

Noka reagon pas përplasjes me Salianjin: E nisi…

Një ditë pas mbledhjes së tensionuar në selinë e Partisë Demokratike, sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka ka reaguar publikisht, duke ironizuar ish-deputetin Ervin Salianji.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Noka shprehet se Salianji e nisi angazhimin e tij me pretendime të mëdha për “shpëtimin” e PD-së, por shumë shpejt, sipas tij, e reduktoi qëndrimin në kërkesa personale për poste drejtuese.

“E nisi me bujë si “shpëtimtar“ i #PD-së, por pa u bërë tre javë e katandisi te kërkesa për një karrige 😂”, shkruan Noka.

Reagimi vjen pas përplasjeve të forta që ndodhën gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, veçanërisht pas largimit të mediave. Në këtë takim, Flamur Noka akuzoi Salianjin se lëvizjet e tij politike po i shërbejnë interesave të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.

Sipas burimeve nga mbledhja, Noka i është drejtuar Salianjit duke i thënë se veprimet e tij po ndihmojnë socialistët, ndërsa ka marrë edhe mbështetjen e kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Ky i fundit mësohet të ketë deklaruar se personat me të cilët Salianji po bashkëpunon kanë punuar më parë në favor të PS-së gjatë zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj drejtuesve të lartë të partisë, duke akuzuar Flamur Nokën për dëmtimin e strukturave të PD-së dhe duke i kërkuar dorëheqjen. Ai ka deklaruar se gabimet e bëra në drejtimin e partisë janë të pafalshme dhe ka kërkuar që drejtuesit të përballen me bazën demokrate./ Zoom.al

Postime të lidhura